Në mesnatë përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 11 dhjetor. Partitë politike në opinion i publikojnë bartësit e listave për gjashtë njësitë zgjedhore, por tani për tani asnjëra prej tyre nuk ka dorëzuar lista deri te Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ).

Listat e kandidatëve duhet të shqyrtohen dhe konfirmohen nga anëtarët e KSHZ-së në afat prej 48 orëve nga momenti i dorëzimit gjegjësisht deri te dielën në mesnatë. Përderisa konstatohen parregullsi, pjesëmarrësit në zgjedhje duhet t’i largojnë në afat prej 48 orëve. Shorti për orarin e listave duhet të mbahet më 20 nëntor.

Njëkohësisht në mesnatë përfundojnë edhe afatet për kontrollin publik në Listën zgjedhore, për paraqitjen e shtetasve të Republikës së Maqedonisë për votim jashtë vendit dhe për ripërtëritjen e të drejtës zgjedhore të personave me regjistrime kontestuese pas kontrolleve të fundit në terren dhe kontrollet administrative të Listës zgjedhore.

Sipas mesatares së Komisionit Shtetëror Zgjedhor, deri dje në orën 14:00 janë paraqitur 16.720 shtetas të Maqedonisë për votim të cilët jetojnë jashtë vendit nga të cilët 14.156 janë pranuar, janë refuzuar 208, ndërsa në përpunim janë 2.356.

Në lidhje me 29.858 regjistrime kontestuese pas kontrolleve të fundit në terren dhe administrative të Listës zgjedhore, për rregullimin e të drejtës zgjedhore kanë aplikuar 1.043 qytetarë. KSHZ-ja ka pranuar 1.005 aplikime, përderisa 38 janë në përpunim. Deri nesër në mesnatë është afati i fundit që këta persona ta rregullojnë të drejtën e tyre zgjedhore.

Listën zgjedhore KSHZ-ja duhet ta nënshkruajë më 27 nëntor.