Gjykata e ka anuluar ankesën e babait të Almir Aliut, Sedatit që t’i shtyhet mbajtja e dënimit me burg.

Këtë e ka bërë të ditur avokati i tij, Asmir Alispahiq.

Përveç Sedat Aliut, shtyrja e mbajtjes së dënimit është kërkuar edhe për dy familjarët tjerë të Almirit, Abdulla Aliu dhe Sami Demiri.

Kësisoj, Sedati, Abdullau dhe Samiu duhet të paraqiten në burg për të vuajtur dënimin, transmeton TV21.

Ndërkaq, edhe pse Gjykata kishte sjellë vendim që të shtyhet mbajtja e dënimit për vrasësin e Almir Aliut, Boban Iliçin, sërish edhe ky vendim është anuluar.

Anulimi vjen pas ankesës së Prokurorisë.

Thirrja e Sedat Aliut që ta vuajë dënimin, ka revoltuar qytetarët të cilët më 22 janar protestuan para Gjykatës Themelore në Kumanovë. Protesta erdhi pasi Gjykata e Apelit e konfirmoi dënimin me 6 muaj burg për babain e Almirit dhe nga 9 muaj për dy familjarët e tij, ndërkohë ka ulur dënimin nga 6 në 4 vite burg për Boban Iliçin. 4-vjeçari Almir Aliu u shkel për vdekje me makinë nga Boban Iliqi më 4 korrik të vitit 2016./TV21