Parregullsitë në listën e zgjedhësve nuk janë eliminuar. Pavarësisht se KSHZ-ja brenda disa ditëve duhet të mbyllë listën zgjedhore, akoma gjenden adresa ku figurojnë dhjetëra madje edhe qindra votues të cilët pronarët e vërtetë të shtëpive nuk i njohin. Alsat M vizitoi përsëri shtëpinë e familjes Hasani e cila po si para disa muajsh, vazhdon të figurojë si strehë e 115 votuesve.

“Nuk i kemi paraqitur por as nuk janë në shtëpinë time. Unë nuk e di si mund të thonë ashtu. Në shtëpi momentalisht jetojmë unë dhe gruaja. Asnjë deri tani nuk ka ardhur, as nga ministria. Ka pasur rast edhe fqinji dhe tjetri pak më poshtë. Ata thonë se te ato ka 60 veta”, deklaroi Hasan Hasani, banor i lagjes.

Ashtu siç pretendon ky banor, rasti i tij nuk është i vetmi.

Nga Qendra për Liri Civil thonë se në adresë të tyre vazhdojnë të vinë ankesa për parregullsi të shumta në lista dhe si pasojë e kësaj, për humbjen e besimit te besueshmëria e procesit zgjedhor.

“Prej 200 rasteve të evidentuara kur ishim në Pranverë kur pastrohej lista, ne tani që bëmë krahasimin pamë se kemi vetëm dy raste ku KSHZ-ja ka intervenuar. Edhe atë në njërin rast është hequr “fantomi” kurse në rastin tjetër është hequr “fantomi” por në atë adresë ka ardhur një tjetër. Kjo na jep një bazë të fortë për dyshim se gjatë kësaj periudhe janë futur në listën zgjedhore edhe njerëz të cilët faktikisht edhe nuk ekzistojnë apo janë njerëz që votojnë në një vend por janë future të votojnë edhe në një vend tjetër”, tha Petrit Saraçini, CIVIL.

Saraçini vlerëson se KSHZ-ja nuk ka shumë mekanizma juridik për të vepruar për këto raste por duhet të jetë më aktive. Pas largimit nga lista e zgjedhësve të rreth 40 mijë votuesve, katër partitë politike në korrik ranë dakord se lista e zgjedhësve është pastruar dhe asnjë fjalë nuk thanë më për votues të ashtuquajtur fiktiv. Megjithatë para këtij procesi, KSHZ-ja nuk arriti të detektojë rastet e Pustecasve të regjistruar si votues në Maqedoni, të cilët disa herë e kanë pranuar këtë edhe publikisht.Alsat-M