Tensione dhe përplasje të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës në kuvendin e Kosovës rreth vdekjes së Astrit Deharit. Deputetët e Vetëvendosjes protestuan para foltores së Kuvendit me pankartën: Drejtësi për Astritin. Vetëvendosja ka ftuar deputetët që të mbajnë seancë të jashtëzakonshme, duke kontestuar rezultatet e autopsisë të prezantuara nga Prokuroria sipas të cilave Astrit Dehari është vetëvrarë në burg. Kryeparlamentari Kadri Veseli është kundërpërgjigjur se përgjegjësia duhet të kërkohet edhe nga Vetëvendosja rreth vdekjes së Deharit, pavarësisht nëse në fund del se ishte vrasje apo vetëvrasje. Ndërkohë, kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, përveç se i kontestoi rezultatet e autopsisë në lidhje me vdekjen e Deharit, fajësoi organet shtetërore dhe vet kryetarin Veseli si ndikues në rrjedhat e hetimeve.