Ekspertët juridik vlerësojnë se Prokuroria Publike vijon presionet ndaj ekipit të Katica Janevës. Sipas tyre 42 lëndët që inicoi prokuroria e Marko Zvërlevskit për parregullsi zgjedhore janë si rezultat i frikës së pushtetit se Prokuroria Speciale mund të hap disa raste të reja për mashtrime zgjedhore.

“Nëse këto lëndë janë për zgjedhjet e kaluara, atëherë u ka ikur treni dhe është e turpshme kjo që e bëjnë sepse është formuar Prokurori Speciale për t’i vërtetuar këto gjëra dhe për këtë ajo ekziston, sepse ata nuk e kanë kryer punën e tyre. Nëse janë për zgjedhjet aktuale atëherë është për t’u përshëndetur, por duhet sa më shpjet t’i zbardhin pasi jemi një javë para zgjedhjeve. Duhet të mënjanohen të gjitha parregullsitë”, deklaroi avokati Zvonko Davidoviq.

Për ish prokurorin publik Jovan Tërpenovski janë inkurajuese përpjekjet për shqyrtimin e parregullsive zgjedhore. Megjithatë ai shprehet i dyshimtë rreth synimeve të vërteta të Prokurorisë Publike pasi këto hapa i ndërmerr vetëm një javë përpara zgjedhjeve.

“Para publikimit të bombave kishte parregullsi të publikuara përmes mediave për të cilat Prokuroria Publike nuk reagoi fare. Ndërmarrja e veprimeve si kundërpërgjigje e një veprimi të dikujt tjetër nuk duhet të ndodhë dhe mendoj se kjo nuk është normale dhe praktikisht do të thotë përdhosje e funksionit që i është besuar prokurorit publik. Nëse është kështu, mendoj se është për t’u dënuar”, u shpreh Jovan Tërpenovski, ish prokuror publik.

Prokurori publik Zvërlevski njoftoi se ka hapur hetime për parregullsi zgjedhore pa saktësuar për cilët persona apo parti bëhet fjalë. Një ditë më herët, Komisioni anti-korrupsion kërkoi hapjen e hetimeve ndaj Oliver Spasovskit nga radhët e LSDM-së dhe komunës së Kumanovës. Ministri i brendshëm Spasovki dhe kryetari i Kumanovës Zoran Damjanovski hodhën poshtë pretendimet për shkelje të Kodit zgjedhore respektivisht për shpërdorim të burimeve të komunës.