Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson ka bërë të ditur se vendi i tij ka “inicuar” një takim me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit, disa vende të BE-së dhe partnerë të tjerë për të adresuar “nevojën urgjente për të përmirësuar qasjen humanitare në Gaza”, transmeton Anadolu.
Në llogarinë e tij në platformën sociale X, kryeministri Kristersson tha se “jeta dhe shëndeti i fëmijëve në Gaza duhet të mbrohen”.
Komentet e kryeministrit Kristersson vijnë pasi ministri kinez i Punëve të Jashtme, Wang Yi, e quajti luftën e Izraelit në Gaza një “turp për qytetërimin” derisa bëri thirrje për një “armëpushim të menjëhershëm”.
“Është një tragjedi për njerëzimin dhe një turp për qytetërimin që sot, në shekullin e 21-të, kjo fatkeqësi humanitare nuk mund të ndalet”, u tha Wang gazetarëve në një konferencë për media në Pekin.
Suedia, së bashku me shumë vende të tjera evropiane, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Australia, kanë ndërprerë fondet për Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) lidhur me akuzat izraelite se disa nga anëtarët e saj ishin të përfshirë në sulmet e 7 tetorit.
Të hënën, ministri norvegjez i Punëve të Jashtme, Espen Barth Eide kërkoi nga bota të qëndrojë pranë UNRWA-së.
Komisioneri i Përgjithshëm i UNRWA-së, Philippe Lazzarini akuzoi Tel Avivin se kishte një “qëllim politik afatgjatë” për të “shkatërruar” agjencinë e ndihmës së OKB-së.
“Për momentin, ne kemi të bëjmë me një fushatë të zgjeruar dhe të përqendruar izraelite, e cila synon të shkatërrojë UNRWA-në”, tha Lazzarini në një intervistë të botuar nga gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger” muajin e kaluar.
Javën e kaluar, Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) paralajmëroi Këshillin e Sigurimit për “uri të afërt në Rripin e Gazës”, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të parandaluar një fatkeqësi humanitare në një territor ku shumë anëtarë të Këshillit paralajmëruan se Izraeli po përdor “urinë si një armë lufte”.