Në planin 9 pikësh të OSBE-së, Kosovës i kërkohet të tërheqë Policinë Speciale nga veriu i Kosovës, teksa Serbisë vetëm të ulë gatishmërinë e Ushtrisë (Pika 2).
Pra, Kosovës të largojë forcat që rezultuan që garantojnë sigurinë, sundimin e ligjit dhe integritetin territorial të vendit, kurse Serbisë të ulë gatishmërinë e forcave që kërcënojnë me agresion sigurinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Po ashtu, pika 3 e po atij plani, sygjeron që për sigurinë në terren, përgjegjëse të bëhet policia e rregullt, me asistencën e KFOR-it dhe EULEX.
Gati katër muaj më pas, me 24 shtator, një patrollë e policisë së rregullt u sulmua nga trupa paramilitare, me armatim të sofistikuar, të financuar e mbështetur nga shteti i Serbisë. Aty mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Heroi, Afrim Bunjaku. Rendin dhe sigurinë në terren brenda ditës e riktheu Policia Speciale e Kosovës.
Po mos të ishte kjo njësi në veri, sot do të njihnim një realitet tjetër pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë.
Plani gjithashtu i kërkon Kosovës që kryetarët e katër komunave në veri të japin dorëheqje në verën e vitit të kaluar (Pika5).
Ashtu siç kërkonte me ngulm edhe Serbia, e cila shpresonte që në këtë mënyrë të zhbënte shpejt gabimin e saj me rastin e thirrjeve për serbët e Kosovës që të braktisin institucionet e Kosovës dhe të bojkotojnë zgjedhjet në katër komunat në veri.
Dje e kuptuam që plani 9 pikësh i OSBE-së, qenka hartuar nga vetë z. Bujar Osmani.
Një rast tjetër kur shqiptarët e shohin Kosovën me sytë e ndërmjetësve ndërkombëtarë.
Në fund, ky plan, nuk u bë plan i qeverisë. Deeskalimi ndodhi. Pa e dëmtuar sovranitetin e pa rrezikuar sigurinë.
Në katër komunat në veri ka më shumë normalitet se kurdoherë tjetër. Sa herë që ka patur tensione, ato janë shkaktuar nga struktura e organizime kriminale. Dorëheqje të kryetarëve nuk ka. Ka trasim të një procesi ligjor e demokratik drejt zgjedhjeve të reja në këto komuna që respekton edhe kushtetutshmërinë e legjislacionin, por edhe vullnetin e qytetarëve. E kur të mbahen, ato do të jenë të lira e demokratike. Nuk kanë qenë gjithmonë ashtu.
Plani i plotë 9 pikësh i publikuar me 3 qershor 2023: https://twitter.com/Bujar_O/status/1664991734856663042