Kryeministri ia arriti që në këtë fushatë të përcillte mesazhin e 71 mandateve për PS. Përtej gjetjeve komunikative, batutave për Bashën dhe Metën, veshjeve, provokimeve dhe mesazheve dykuptimëshe, Rama këto zgjedhje i ka bastin më të madh të jetës

Janë zgjedhje të pazakonta këto të 25 qershorit. Për herë të parë, partitë politike hyjnë në një garë secila për vete, pa koalicione. Do të shërbejë ky moment politik për të kuptuar se cila është pesha e secilit. Mandati i ardhshëm ka një rëndësi specifike. Ka disa vite që Shqipëria po qëndron te dera e BE-së, e penguar për të hyrë atje vetëm nga drejtësia e munguar. Do të jetë fituesi i këtyre zgjedhjeve që do ta udhëheqë betejën për drejtësi, e miratuar një vit më parë në Kuvend. Ai që e përcakton fituesin është sovrani.

Nuk e dimë ende se sa është ndërgjegjësuar votuesi për nevojën jetike të kësaj reforme dhe se te cila nga partitë ai ka më shumë besim, por dimë me siguri se procesi i miratimit në kuvend të kësaj reformë, ka dhënë rezultatet e para: frikë dhe panik ndër politikanë e gjyqtarë.

Të gjitha palët e kanë të drejtën të marrin flamurin e Reformës në Drejtësi, edhe pse është kryeministri Rama ai që e ka mbajtur deri tani. Por një gjë është e sigurt, se Reforma në Drejtësi në Shqipëri është një projeksion i ndërkombëtarëve dhe pa kaluar nëpër atë rrugë, Shqipëria nuk do t’i shkelë kurrë dyert e Bashkimit Europian.

Në garë për të fituar vendin e parë në besimin e qytetarëve janë: Edi Rama me Partinë Socialiste, Lulzim Basha me Partinë Demokratike, si dhe Ilir Meta me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Secila parti e secili lider, ka bilancin e vet për të ofruar në këto zgjedhje.

Edi Rama, beteja për 71 ose basti i jetës

Pas katër vitesh si kryeministër, Rama nuk e ka fort për zemër të përballet me bilancin e qeverisjes. Fushata e kryeministrit është përqendruar tek apeli, herë i fortë, herë lutës për t’i dhënë katër vite të tjera kohë, pa pengesa nga aleatët për të qeverisur i vetëm Shqipërinë me premtimin për t’i dhënë vendit reforma të tjera dhe mbi të gjitha reformën në administratë, që siç premton, do ta çlirojë nga kapja e partive ose ndarja e tepsisë.

Rama ia arriti që në këtë fushatë të përcillte mesazhin e 71 mandateve për PS. Përtej gjetjeve komunikative, batutave për Bashën dhe Metën, veshjeve, provokimeve dhe mesazheve dykuptimëshe me dy gishtat lart, Rama këto zgjedhje i ka bastin e jetës. Sfida e tij për maksimumin nisi me daljen hapur kundër partive të vogla dhe sidomos LSI. Në paktin me Bashën në 17 maj ishte Rama që propozoi 25 qershorin si datë zgjedhjesh duke mos iu lënë kohë partive aleate qeverisëse që të regjistroheshin si koalicione. E vërtetë se fillimisht ishte Meta dhe LSI që mbanin varur koalicionin me PS, por në fund të historisë, vulën për konkurrimin më vete, duke sfiduar precedentin e 2009, e vuri kryeministri.

Nën këtë fill, Rama i ka këto zgjedhje bastin e jetës edhe sepse kreu një fushatë me ide jopopuliste. Së pari, me kërkesën për të qenë timonier i vetëm. Së dyti, pa premtime për ulje taksash dhe rritje pagash e pensionesh, larg premtimeve të 2013-s.

Kryeministri është i vetmi që në fushatë ka thënë se “nëse ne nuk jemi forcë e parë unë do të jap dorëheqjen nga partia”.

Por në fushatë Rama është përballur shpesh me kritikat e medias. Ai është akuzuar për

shmangie të bilancit qeverisës për shkak se nuk e ka një të tillë dhe për sjellje arrogante deri në tiparet e një diktatori. Do të vinte marrëveshja me kundërshtarin e tij Lulzim Basha që do ta zhbënte deri diku hijen e diktatorit që shumë analistë ia kanë mveshur. Rama pranoi të ndante pushtet me Lulzim Bashën në prag të zgjedhjeve me qëllim që opozita të bëhej pjesë e procesit zgjedhor. Pavarësisht se e shmang, qeveria e ka një bilanc me reformat e suksesshme dhe dështime të mëdha.

Reformat e realizuara

Reforma në Drejtësi e miratuar në Kuvend korrikun e vitit që shkoi, është një ndër sukseset e Ramës. Pavarësisht skepticizmit dhe betejës së fortë qëndrestare të atyre që preken nga reforma, Rama e pati si kryefjalën e këtij mandati Reformën në Drejtësi deri sa u miratua. Ai iu dorëzua Reformës në Drejtësi kur deklaroi se do të firmoste letër të bardhë, mbi të cilën do të hidheshin ligjet e reformës sipas opozitës, por të miratuara nga ndërkombëtarët. Kështu, ai krijoi një garanci se do të ishte i pari i gatshëm për t’iu nënshtruar pasojave, sepse Reforma në Drejtësi nuk ndalon aty te sistemi i drejtësisë, por supozohet të hapë një herë e mirë dosjet e korrupsionit që e kanë mbajtur peng Shqipërinë. Ato dosje padyshim flenë nëpër korridoret e errëta të politikës. Këtë fushatë ai ka zbuluar edhe një detaj me rëndësi, kur tha se krisja e koalicionit të tij me Ilir Metën erdhi pikërisht nga kjo këmbëngulje e tij për Reformën në Drejtësi.

Reforma Territoriale është një ndër reformat e suksesshme sepse Shqipëria u riorganizua me strukturat e saj të qeverisjes vendore, duke krijuar 61 bashki pas shkrirjes së 373 komunave të vogla, të cilat ishin kthyer në vatra korrupsioni larg interesave dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Formalizimi i sistemit energjetik është reformë e rëndësishme edhe pse gjatë zbatimit, pati dënime absurde të njerëzve të dobët të kësaj shoqërie dhe përjashtimin nga dënimi për energji të papaguar të të “fortëve”. Megjithatë, për herë të parë në këto 27 vjet u kthye në kulturë qytetare detyrimi për ta paguar energjinë që konsumon.

Përmes një skeme të re, reforma e pensioneve garantoi një farë barazie në pensionet për kategori të ndryshme të shoqërisë shqiptare.

Reforma në arsim është gjithashtu një ndër arritjet e kësaj qeverie pasi solli pastrimin e mjedisit akademik nga disa universitete që kishin mbirë si kioskat, ku mungonte çdo standard akademik dhe ku prodhoheshin pa pushim diploma false.

Kanabizimi dhe dështimi i shëndetësisë falas

Kanabizimi i Shqipërisë është padyshim një ndër dështimet e qeverisë Rama dhe do të mbetet për shumë kohë si njollë e zezë për Shqipërinë. Pas aksionit për Lazaratin, ku u duk se qeveria ishte e vendosur për ta luftuar, gjithçka u ndal dhe kanabisi u shpërnda me shpejtësi në të gjithë territorin, bashkë me akuzat për përfshirje të strukturave të policisë. Futja e elementëve me precedentë kriminalë në Kuvend dhe i administratës është gjithashtu një njollë e errët në këtë mandate. Shëndetësia Falas është gjithashtu një ndër dështimet e mëdha pas premtimeve të bujshme të kryeministrit që çdo shqiptar do të kishte shërbim shëndetësor falas pavarësisht xhepit. Dështimi në aplikimin e taksës progresive gjithashtu është një ndër pikat e dobëta të qeverisjes së katër viteve që shkuan. Bashkë me të edhe administrata e paaftë, e politizuar dhe të korruptuar.

Basha, nga lider në zgrip te kryetari që përjashtoi themeluesit

Këtë korrik mbushen katër vite që Lulzim Basha po drejton Partinë Demokratike. Natyrisht fillimi ishte shumë i rëndësishëm. E mori këtë parti të shkatërruar nga humbja në zgjedhjet e 23 qershorit 2013, të lënë nga lideri historik Sali Berisha, bashkë me të gjithë problematikën që ai kishte instaluar në atë parti për 27 vjet. Mungesa e demokracisë, konsumi nga pushtetit, damka e korrupsionit gjatë qeverisjes, do të ishin kosto në rrugën e Lulzim Bashës. Si një pengesë për të forcuar pozitat e tij në krye të PD-së, hija e Berishës ishte aty vazhdimisht bashkë me protagonizmin e tij të ethshëm çdo të enjte në parlament. Basha humbi në zgjedhjet lokale të 2015-s, por lidershipi i tij në PD pati një moment suksesi kur aksioni opozitar u njehsua me ligjin e dekriminalizimit. Basha ia doli të imponojë një ligj që ndalon përfshirjen elementëve të inkriminuar në parlament dhe institucione të tjera.

Më pas vjen çadra prej nga Lulzim Basha do të dilte si një lider më i fortë. Momenti më i rëndësishëm pas çadrës është pikërisht pastrimi i partisë nga kundërshtarët. Ishin themeluesit dhe qëndrestarët, ish-drejtuesit më të rëndësishëm të kësaj partie që Basha vendosi të përjashtojë nga lista e kandidatëve për deputetë. Hapi një betejë të fortë në prag të zgjedhjeve, e cila padyshim do të sjellë njëfarë kostoje elektorale sado e vogël qoftë.

Lista e Bashës me njerëz të rinj, u kritikua fort nga mediat si një paralajmërim për humbje në zgjedhjet e 25 qershorit. Por duket se Basha e ka një siguri sepse në këtë fushatë ai shfaqet përgjithësisht i qetë dhe entuziast. I kritikuar nga media se në tre javët e para të fushatës po godiste vetëm LSI duke lënë të hapur kllapat për bashkëqeverisje me Ramën pas zgjedhjeve, ai ndryshoi në finish, duke arritur të nguliste se ishte i vetmi që kishte një program ekonomik si dhe duke shënjestruar Ramën siç kishte bërë gjatë çadrës. Por heqja dorë nga kauza e kanabizimit mbetet një e çarë në fushatën e tij.

LSI, rikthimi i Metës

LSI me numrin 1 në listën e votimit, e inatosur dhe agresive, duket sikur është në betejën për ekzistencë, e kërcënuar nga një marrëveshje e mundshme PS-PD. Petrit Vasili po e udhëheq LSI-në si kryetar zyrtar ndërkohë që Ilir Meta, edhe pse president i zgjedhur, ka shkelur në të gjitha sheshet e Shqipërisë për t’i treguar dhëmbët Ramës e Bashës e për t’i kërcënuar me forcën e votës së militantëve besnikë të “partisë së paparë”. Më shumë se sa shpalosje programi, krerët e LSI-së po përpiqen të demonstrojnë forcën e tyre përballë dy më të fortëve të deritanishëm të politikës në Shqipëri, PS e PD.

Sondazhet

Prej tri javësh janë publikuar rezultatet e sondazheve prej nga duket se PS renditet si partia e parë me më shumë vota në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas sondazheve, ka një rritje LSI, por edhe PD, por gjithsesi renditja e tyre nuk ndryshon. PS parti e parë, PD e dyta dhe e treta LSI. Partitë i shpërfillin në dukej sondazhet ndërkohë që secila ka kryer me siguri sondazhet e veta më të besuara dhe me sa duket ato rezultate që ata kanë marrë na vijnë përmes mënyrës se si po i qasen njëri-tjetrit për koalicionin qeverisës pas zgjedhjeve.

Përgjatë gjithë fushatës, Edi Rama iu është lutur votuesve shqiptarë që t’i japin mandatin e plotë 71 vota për të qeverisur vendin dhe për të kryer reformat e nisura. Ka përjashtuar kategorikisht një koalicion me LSI-në por ka lënë të hapur mundësinë e bashkëqeverisjes me PD-në. Lulzim Basha e përmend më pak mundësinë e këtij bashkëpunimi dhe po aq pak edhe bindjen se do t’i fitojë numrin 71 apo 72 vota. Ndërsa LSI po pretendon të marrë votat si parti e parë, përjashton koalicionin me Ramën por jo me PS-në dhe nuk përjashton as koalicionin me PD-në e Lulzim Bashës.

Shqiptarët e vendosin nesër me votë skenarin e mandatit të ardhshëm.