Uragani “Irma” është forcuar në një stuhi të kategorisë së katërt teksa i afrohet Floridës, me erëra që pritet të kapin shpejtësinë deri në 209 km/h.

Shkulmi i erës pranë epiqendrës së uraganit ka prekur tashmë ishujt në jug të Floridës, ndërsa toka kontinentale pritet të goditet brenda pak orësh.

Niveli i ujërave është rritur tashmë përgjatë bregdetit të shtetit amerikan, ku pritet të një stuhi e fuqishme. Të paktën 25 persona kanë humbur jetën nga “Irma”, teksa goditi më herët ishujt e Karaibeve.

Në Florida, 6.3 milionë njerëzve, apo rreth 30% e popullsisë së këtij shteti, u është kërkuar me detyrim evakuimi. Ndërsa të shtunën, guvernatori i shtetit deklaroi se, tashmë ishte shumë vonë për evakuim, për cilindo të mbetur në shtëpitë e tyre.

Qendra Kombëtare e Uraganëve lëshoi paralajmërime për shpërthimin e stuhive kërcënuese për jetën në Florida Keys, një rrip i vogël ishujsh në jug të Floridës, sikurse edhe në Tampa Bay dhe zonat e tjera bregdetare.

Më shumë se 200 mijë shtëpi janë prekur tashmë nga mungesa e energjisë elektrike, ndërsa 164 mijë prej tyre janë shënuar vetëm në kantonin Miami Dade, sipas kompanisë që ofron furnizimin me energji.

Irma pritet të godasë mëngjesin e së dielës, me orën lokale, bregdetin e Floridës, ndërsa periferitë më jugore të këtij shteti janë prekur tashmë nga reshje të dendura shiu. Ndërsa Florida Keys ka nisur të shënojë edhe dëmet e para, por pritet të mbajë edhe barrën kryesore të kësaj stuhie në orët e ardhshme.