Kështu e hodhi në dysheme flamurin shtetëror Andrea, vajza e cila po përfaqëson Maqedoninë e Veriut në Eurovision. Në video shihet se si ajo fillimisht fotografohet me flamurin e pastaj e hedh. Rrjetet sociale po vlojnë nga komentet mbi gjestin e përfaqësues tonë. Për këtë arsye Andrea Koevska u prononcua dy herë në rrjetet sociale duke kërkuar falje dhe arsyetuar veten.

“Me të vërtetë nuk më besohet sepse ditëve të fundit e vetmja gjë që bëj është të tregoj flamurin maqedonas, por për momentin që më xhironte dhe fotografonte kamera kërkuan që të mos e kem flamurin e Maqedonisë. Delegacioni ishte shumë larg meje dhe vërtet unë nga dëshpërimi hodha flamurin, nuk ishte nga urrejtja sepse unë vërtet jam krenare që vij nga këtu, prandaj është pak pa kutpim kjo që po ndodh”, tha Andrea Koevska.

Ndryshe, një gjest i tillë është i ndaluar edhe me ligj në Maqedoninë e Veriut. Prokuroria Themelore Publike deri më tani nuk ka hapur lëndë për ngjarjen që i referohet përfaqësueses së Eurovizionit, Andrea Koevska.

“Deri më tani nuk ka të dhëna se ngjarja kishte për qëllim ekspozimin e flamurit shtetëror për tallje dhe përqeshje”, thonë nga PThP.

Pas publikimit të videos nga TV21, ka reaguar Radiotelevizioni i Maqedonisë së Veriut, duke dënuar sjelljen e Andreas. Thonë se hedhja e flamurit është skandaloze ndërkaq theksojnë se po shqyrtojnë mundësinë për tërheqjen e këngëtares nga gara.

Shefja e delegacionit të Eurovizionit nga Maqedonia, Meri Popova, për incidentin që ka ndodhur dje në Torino të Italisë, ka thënë se përfaqësueses Andrea Koevska i ka pasur vetëm 30 sekonda për të bërë një foto të Eurovizionit. Ndërkaq këtu janë disa video se si kanë vepruar disa figura publike kur hasin në simbole të rëndësishme.