Paramendoni që jeni ndërrues binaresh në stacionin e trenit dhe shikoni një tren mallrash i cili në mënyrë të pakontrolluar rend nëpër shinat që janë duke i rregulluar pesë punëtorë. Punëtorët nuk do të kenë kohë të vrapojnë nga binarët nëse ju nuk e ktheni trenin në shinat e tjera, ku gjendet një person. Keni vetëm disa sekonda për të vendosur se a do të lejoni që të vriten pesë persona apo një. Çfarë do të bënit ju?

Kjo dilemë morale është problem i vjetër filozofik pa zgjidhje pozitive sepse dikush në problem duhet doemos të vdesë. Psikologët nga Universiteti i Michigan kanë projektuar programin e realitetit virtual për të testuar se si reagojnë njerëzit në të vërtetë në aspektin psikologjik dhe filozofik në problem kur përballen me të.

Ekzistojnë dy qasje të kundërta filozofike për problemin, utilitare apo praktike (vendosim ta vrasim një njeri për të shpëtuar pesë jetë) dhe qasja e mosbërjes së dëmit me qëllim (ta lëmë Zotin ose natyrën ta bëjë të veten dhe të mos bëjmë zgjedhje aktive, me të cilën do t’ia marrim dikujt jetën).

Përgjatë shumë viteve të anketimeve, njerëzit kryesisht kanë zgjedhur të vrasin një person për të shpëtuar pesë. Megjithatë, deri tani nuk ka ekzistuar një studim i cili në mënyrë direkte do t’i testonte reagimet e njerëzve në situatat e realitetit virtual.

Udhëheqës i projektit ka qenë psikologu David Navaratte, i cili ka testuar 147 pjesëmarrës. Secili nga ata në kokë ka mbajtur pajisje të dizajnuar në mënyrë të veçantë e cila ka projektuar situatën. Një nga faktorët që është shtuar është piskama e njerëzve kur do të shihnin se u afrohet treni dhe kuptojnë që do të vdesin.

Pjesëmarrësit e testimit kanë pasur edhe elektrodat të ngjitura në lëkurë për të matur reagimet të cilat ne nuk i kontrollojmë. Psikologu Navaratte dhe ekipi i tij kanë vërtetuar që përsëri 90 për qind e njerëzve do të zgjidhnin të vrasin një njeri. Nga 147 pjesëmarrës, 133 kanë ndryshuar drejtimin e trenit me mallra.

Interesante është që pjesëmarrësit të cilëve përmes elektrodave u është regjistruar aktivitet më i madh emotiv, nuk kanë tërhequr dorezën për kthesë. Pjesëmarrësit të cilët kanë qenë të qetë kanë tërhequr dorezën dhe në mënyrë virtuale kanë vrarë një person, transmeton Koha.net. Në pyetjen nëse personalisht do ta shtynin një person nën tren për të shpëtuar pesë të tjerët, vetëm gjysma është përgjigjur pozitivisht.

Çka na tregon kjo për natyrën njerëzore? Na thotë që jemi ngurtësuar në krijesa të ftohta dhe brutale të cilat do të kalkulonin për vdekjen e të tjerëve, nëse nuk bëhet fjala për ndonjë të afërm tonin?

Çështja është se çfarë do të kishit bërë ju?