Pas skandaleve të shumta që prej krijimit të koalicionit LDK-PDK-Srpska, pas qeverisjes skandaloze bashkë me klanin “Pronto”, pas dështimit që të na e sjell “Zajednicën” dhe Demarkacionin, si dhe pas mungesës së guximit për të thënë qoftë edhe një fjalë të vetme kundër klanit “Pronto”, LDK-ja e Isa Mustafës është në panikë me rënien e mbështetjes së qytetarëve.

Kështu ka thënë Lëvizja Vetëvendosje përmes një postimi në faqen Facebook, dhe kjo deklaratë vjen pas publikimit të një sondazhi të kompanisë “Ubo Consulting”, të realizuar në muajin shtator, i cili e radhit LDK-në të treten parti në vend pas PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje.

“LDK-ja e Isa Mustafës, tashmë e ka shndërruar në traditë shpifjen dhe akuzën, ndaj kujtdo që ia thotë të vërtetën. Qoftë ndaj medieve, qoftë ndaj kompanive të ndryshme që masin opinionin publik dhe qoftë ndaj qytetarëve. Në vend që të kërkojë sqarim nga kompania që kishte realizuar këtë sondazh, dhe të kërkojë të dijë parametrat, metodën e punës, etj. që ta analizojë nëse ky sondazh është serioz dhe shkencor, LDK e Isa Mustafës ka vendosur ta denoncojë atë pa pasur asnjë informacion, dhe të tentojë në mënyrë absurde ta lidhë këtë sondazh me Lëvizjen Vetëvendosje”, thotë VV-ja.

Sipas këtij subjekti politik, LDK-ja e drejtuar nga Isa Mustafa është në panikë të madhe, ngase po e di që ky dhe sondazhet e tjera të kohëve të fundit janë të vërteta.

“Ne tashmë jemi të bindur që rezultatet e këtij sondazhi – që flasin për rritje të madhe të Vetëvendosjes – përputhen me atë çka mendojnë qytetarët, dhe çka po shprehin ata për çdo ditë në vizitat tona në teren”, përfundon Vetëvendosje.