A mund të pranojë Shaqir Fetahu rolin e “pastrusit” të të bëmave të Sulejman Rexhepit? Si e pranoi detyrën për ta zëvendësuar atë? Si merret një detyrë, aq më tepër publike, aq edhe më tepër një detyrë e përfolur për qindra afera e skandale

Shkruan Abaz Islami

Dhjetëshi i “rijasetit”, mendermethënë, vendosi ta “shkarkojë” Sulejman Rexhepin dhe ta emërojë, në vend të tij, ushtruesin e detyrës, Shaqir Fetahun, Myftiun e Gostivarit, deri në zgjedhje të reisit të ri të BFI-së! Pas një lufte më se pesëvjeçare intensive që e zhvilluam ne të Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI, më në fund, ky “rijaset” sikur na qenka vetëdijësuar dhe u “morën vesh” (me Mulla Sulën) që ta shkarkojnë “”reisin”! Më mirë vonë se kurrë!
Por, si po tentojnë t’i hedhin hi syve të opinionit, apo, si po mendon ky “dhjetëshi famoz” që të vazhdojë më tutje?! Çfarë detyre i pret, apo, çfarë detyre u ka dhënë Sulejman Rexhepi!? A e di, për shembull, Shaqir Fetahu se si bëhet kalimi i kësaj detyre prej të shkarkuarit te i ngarkuari, qoftë edhe i përkohshëm! Apo, ka vendosur t’i gëlltisë të gjitha punët e pista të Sulejman Rexhepit dhe ta kursejë atë sa të jetë e mundur! A mund të pranojë Shaqir Fetahu rolin e “pastrusit” të të bëmave të Sulejman Rexhepit? Si e pranoi detyrën për ta zëvendësuar “reisin” e vet?
Është detyrë më se emergjente që, në raste të tilla, para se të bartet detyra prej njërit person te tjetri, të formohet ad hoc komisioni për pranim-dorëzim të detyrës. Shaqir Fetahu ishalla nuk është aq axhami sa mos ta kërkojë një komision të tillë, sepse, ai e di shumë mirë se, në opinion qarkullojnë mijëra dokumente të dala fotokopje nga arkivat e BFI-së e që flasin ekskluzivisht për punët e pista të “kryetarit” të Rijasetit anëtarë të të cilit (përfshirë edhe Shaqir Fetahun) e kanë përkrahur dhe ndihmuar Sulejman Rexhepin deri në këtë derexhe, deri në sjelljen e BFI-së në këtë pozitë të mjerueshme.
Po ashtu, janë me qindra dokumente te deponuara nëpër lëndë gjyqësore të cilat së shpejti mund të hynë në proces. Janë dhjetra afera e skandale financiare të shkaktuara nga Sulejman Rexhepi e të publikuara ndaj dhe, Shaqir Fetahu duhet të jetë shumë syçelë nëse nuk do të jetë viktimë e kotë e të bëmave të Sulejman Rexhepit.
Urgjentisht duhet të hartohet e të miratohet një rregullore e posaçme në të cilën në hollësi do të precizoheshin të gjitha punët dhe detyrimet e Komisionit për pranim-dorëzim të detyrës. Ky komision duhet të ketë qasje te të gjitha dokumentet financiare, t’i ketë të evidentuara të gjitha borxhet në të cilët e ka lënë Sulejman Rexhepi BFI-në, të dijë për numrin e pronave, për kontratat e ndryshme, për hipotekat bankare të ndryshme, për pronat që i ka lënë nën hipoteka, parkun e makinave, si dhe për çdo marrrëveshje sekrete të Sulejman Rexhepit me persona e subjekte të ndryshme e që e dëmton interesin e BFI-së. Një ditë, pasi të zgjidhet reisi i ri, mos të mendojë Shaqir Fetahu dhe anëtarët e komisionit ad hoc për pranim-deorëzim të detyrës se, aq lehtë do t’ia hedhin dhe do ta shpëtojnë Sulejman Rexhepin! Nuk është pranim dorëzim vetëm çelësi i zyres së reisit! Do të paditen për çdo lëshim të tyre që do të faktohet si përpjekje për ta shpëtuar ish-“reisin” e tyre nga tërë ai stog i punëve të pista. Në veçanti duhet të ketë kujdes në dokumentet arkivore si dhe në regjistrat arkivore.
Shaqir Fetahu, urgjentisht duhet të skenojë situatën financiare dhe arkivore të BFI-së, ta skenojë pronën dhe pasurinë e këtij Institucioni dhe, për çdo anomali, për çdo devijim, për çdo dyshim e keqpërdorim, duhet që urgjentisht të ngrisë procedura gjyqësore. Nëse nuk dëshiron të ngrisë procedura, atëherë duhet që gjatë pranim-dorëzim të detyrës dhe, përgjatë ushtrimit të kësaj detyre që ia ka ngarkuar vetes, t’i evidentojë të gjitha këto shëmtira të Sulejman Rexhepit dhe t’ia dorëzojë reisit të ardhshëm. Ndryshe, do të llogaritet si trashëgimtarë i të gjitha punëve të pista të Sulejman Rexhepit. Përgjegjësisë nuk do të mund t’i ikë, as njëri dhe as tjetri, sidomos jo Shaqir Fetahu si kuadër dukshëm më i ri se “reisi” i tij plak e i shkarkuar dhe larguar nga BFI-ja.
Reformat në BFI do të jenë të thella, të gjata dhe, gjithësesi, të kushtueshme. Financiarisht do të mbulohen nga kthimi i pronave dhe pasurive të grabitura dhe përvetësuara të BFI-së! Vetëm duke e zbardhur dhe duke e luftuar këtë dukuri, do të rindërtohet perspektiva e ndritshme e BFI-së, natyrisht, duke e rikthyer edhe besimin e opinionit të gjërë në këtë Institucion.

(Autori është ish funksionar i BFI)