Shkruan Abdulla Mehmeti

Ja çfarë thotë profesori i së drejtës dhe ish diplomati, Denko Maleski, për të vërtetat ndryshe për Maqedoninë, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës, për ndryshimin e emrit të shtetit, mes Maqedonisë dhe Greqisë, të paraqitura dhe mbrojtura me argumentet e tyre nga nacionalizmat e popujve që jetojnë në rajonin gjeografik të Maqedonisë, grekët dhe sllavët (maqedonasit, bullgarët dhe serbët).
„Të dy nacionalizmat, ai maqedonas dhe ai grek, duhej patjetër ta kuptojnë se nuk ka një të vërtetë për Maqedoninë, por ka dy të vërteta – njëra maqedonase, dhe tjetra greke. Siç do të ketë edhe të vërtetë të tretë me marrëveshjen me Bullgarinë.” (Prof. dr. Denko Maleski, profesor universiteti dhe ish diplomat nga Maqedonia)

Sipas shumicës së studiuesve të huaj eminentë dhe burimeve historike relevante, të dy këto „të vërteta“ që i përmend profesori Denko Maleski, si dhe „e vërteta“ e tretë, ajo serbe, janë përralla përballë të VËRTETËS shqiptare, sidomos përballë autoktonisë dhe vazhdimësisë pellazge-pajone-ilire-dardane-arbërore-shqiptare në rajonin e Maqedonisë, i cili sot është i ndarë në disa shtete dhe mbi të cilin janë ngritur disa entitete, shtete dhe rajone, kreatura politike territoriale, për të cilin (si rajon gjeografik, krahinë, territor) ka nevojë të shpaloset, argumentohet dhe mbrohet sidomos e vërteta shqiptare, duke marrë parasysh luftërat dhe pushtimet e shumëta ndër shekuj, falsifikimet dhe përvetësimet që janë bërë deri më sot, nga paraqitja ndryshe e së vërtetës historike për Maqedoninë, nga studiuesit e këtyre vendeve edhe nga shumica e studiuesve shqiptarë, të motivuar ideologjikisht, dhe jo vetëm.

Aktualisht, kur të gjithë popujt e rajonit janë tepër të zëshëm dhe i paraqesin „të vërtetat“ e tyre për Maqedoninë, sidomos pas Marrëveshjes së Maqedonisë me Bullgarinë, Marrëveshjes së Prespës mes Maqedonisë dhe Greqisë, në prag të organizimit të referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni, lidhur me këto çështje dhe me integrimin e vendit të strukturat evropiane dhe euroatlantike, NATO dhe BE; në kohën kur vendoset edhe për fatin dhe të ardhmen e popullit shqiptar në këtë shtet, vetëm pala shqiptare, sidomos studiuesit, janë më të heshtur se gjithë të tjerët. Kambanat e zgjimit bien për shqiptarët më shumë se për popujt tjerë në rajon, dhe kjo heshtje e jona nuk është për të mirën dhe shëndetin e kombit shqiptar.

Pritja në heshtje për zgjidhjen e problemeve të trashëguara nga e kaluara vetëm nga faktori ndërkombëtar, është një gabim i pafalshëm për ne shqiptarët, sepse faktorët ndërkombëtarë nuk i shkruajnë historitë e popujve dhe të shteteve, as nuk kujdesen gjithmonë për fatin e tyre, por angazhohen për zgjidhjen e problemeve në vende dhe rajone të caktuara me qëllim të ruajtjes së stabilitetit, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, pavarësisht se cila nga palët mund të pësojë më pak ose më shumë.