Nënkryetari i Unitetit, deputeti Zylfi Adili – Qufa, në një emision debativ, duke kundërshtuar Valon Belën e BDI-së i cili është shprehur se “kjo parti gjithmonë ka qenë në të njejtën vijë me miqtë ndërkombëtarë” ka treguar rastin e tentimit për ta ndryshuar Kushtetutën e vendit nga ana e VMRO-BDI-së.

“Sikur përfaqësuesit e BDI-së të ishin me një vijë me faktorin ndërkombëtar, nuk do kishte nevojë të vihet deri te kjo krizë politike në vend. NJë shembull konkret: Pas zgjedhjeve të vitit 2014 pati një iniciativë për ndryshime kushtetuese ku VMRO-DPMNE-ja e Nikolla Gruevskit ia ofroi BDI-së dhe yotit Ahmeti disa ndryshime kushtetuese, që aspak nuk kishin të bëjnë me stabilizimin e shtetit, gjegjësisht me elementin që ka të bëjë mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Me keqardhje e them se faktori ndërkombëtar nuk ka qenë në këtë vijë dhe për fat të mirë në atë kohë qëllova unë dhe disa kolegë të mi deputet që i bllokuam ato ndryshime kushtetuese. Në atë kohe ne kërkuam së paku tri elemente të futen në ato ndryshime kushtetuese: Çështja e Preambulës, të rikthehet Preambula e Marrëveshjes së Ohrit; çështja e vendimmarrjes në shtet; dhe çështja e gjuhës shqipe.”- ka deklaruar Adili.