Adnan Neziri është kandidati nga radhët e Aleancës për Shqiptarët, i cili nga qytetarët e Komunës së Tetovës kërkon mbështetje për të udhëhequr me këtë komunë.
Në vitin 1990 , Neziri është diplomuar në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës. Fillimisht ka punuar në firmë private për shërbim të financave dhe kontabiliteti, ndërsa më pas ka hapur zyrën e tij për kontabilitet.
Gjatë periudhës 1999-2004 ka qenë këshilltar për financa në komunën e Tetovës, kurse më pas ka udhëhequr me Sektorin e financave në komunë. Adnan Neziri në komunën e Tetovës është angazhuar në reformën fiskale, në veçanti në sferën e decentralizimit fiskal.
Njihet si punëtor i jashtëzakonshëm dhe korrekt në raport me njerëzit që bashkëpunon. Është njohës i mirë i financave publike, ndërkohë që gjatë karrierës së tij është dalluar si profesionist i mirëfilltë.
Në programin parazgjedhor Neziri për të rinjtë premton: zhvillimin e programeve të cilët do e parandalojnë kriminalitetin e mitur, krijimin e departamentit për rini dhe sport, shqyrtimi i mundësisë për hapjen e shkollës së mesme të sportit me një sallë si dhe një pishinë olimpike e mbuluar, kantina dhe konvikte për studentët që nuk vijnë nga Tetova, si dhe ringritja e iniciativës për rikthimin e sallës së madhe sportive, por dhe projekte të tjera të cilët i tangojnë të rinjtë dhe qytetarët e tjerë të Tetovës.
Redaksia e portalit Bon Zo, kontaktoi dhe ftoi për intervistë Adnan Nezirin i cili me shumë dëshirë dhe kënaqsi shpalosi para nesh planet për targetim të të rinjve në programin e tij!
Si e konsideroni rolin e të rinjve në rajonin tuaj? Si do të jenë të përfshirë nëse e fitoni këtë mandat?
Roli i të rinjve është i një rëndësie të veçantë në pjesëmarrjen e politikave aktive si nëpër organizata politike, civile, por edhe në njësitë e qeverisjes vendore, duke u angazhuar në hapjen e qendrave rinore dhe klubeve në përfshirjen e të rinjve në procesin e hartimit dhe harmonizimit të ideve për marrjen e vendimeve. Angazhim kyç duhet të jetë: 1. Sistemi i arsimimit dhe 2. Papunësia e të rinjve.
Çfarë do të bëni ndryshe sa u përket të rinjve nga komuna juaj, krahasuar me pararendësin tuaj? Si dhe çfarë do të bëni ndryshe krahasuar me kandidatët e tjerë në garë për komunën tuaj?
Një ndër projektet që duhet zhvilluar në politikat e qeverisjes sime vendore do të jetë fokus Programi i njohur Erasmus +. Program ky që sjell të rinjtë e nivelit tonë të depërtojnë nëpër qendrat e studimeve të ndërkombëtare, si një mundësi për t’u artikuluar në formimin e tyre intelektual e shoqëror. Sidomos, shtytje do të kenë në hapjen dhe kyçjen e tyre nëpër organizata të ndryshme qytetare dhe ndërkombëtare që të arrijnë të formohen në krijimin e personalitetit të tyre.
Si do të ndikojë profesioni juaj ndërkohë edhe përvoja juaj jetësore në raport me të rinjtë dhe avancimin e tyre?
Natyra ime njihet si bashkëpunëtor transparent për të gjitha sferat shoqërore, dhe shpresoj se me marrjen e mandatit tim si i pari i komunës së Tetovës do të përkushtohem maksimalisht që të integrojmë të rinjtë në sistemin e mirëfilltë të arsimit dhe zbutjen e papunësisë së tyre, duke u krijuar kushte të mira në të gjitha sferat e jetës. Do zhvillojmë dhe përkrahim financiarisht projektet e organizatave qytetare dhe do krijojmë klimë të mirë për punësimin e tyre nëpër institucione relevante, ku ata mund të japin kontributin e tyre.
A janë të rinjtë mjaftueshëm të përfshirë në programin tuaj? A mendoni se ata janë pjesë e rëndësishme e elektoratit apo janë votues të influencuar nga rrethanat familjare apo thënë ndryshe nga “të riturit”?
Programi im politik në ndërthurje me projektet tjera që kanë të bëjnë për arsimin, sportin dhe shoqatat joqeveritare të rinjtë janë pjesë e pandashme e këtyre projekteve, andaj gjithçka në program është ndarë me kujdes të veçantë për integrimin e të rinjve në proceset e vendimmarrjes. Me marrjen e mandatit si kryetar i komunës së Tetovës së bashku me ekipin tim do të hartojmë mekanizma për sistematizimin e të rinjve në proceset shoqërore dhe do të jemi bashkërisht pjesë e ndryshimeve të mëdha. /bonzo.info/