Të dashur miq, 
Si rezultat i një marrëveshje të rishkruar për së dyti herë në Përzhinë në vitin 2016, mes krerëve politikë të asaj periudhe që diktonte zgjedhje të parakohshme, mora drejtimin e Ministrisë së Brendshme dhe kjo më bënte edhe ministrin e parë shqiptar në një post të tillë.

I ndërgjegjshëm për rrethanat që ekzistonin, i përvesha mëngët duke iu përkushtuar me plot entuziazëm dhe përgjegjësi detyrës, në përmbushjen sa më të denjë të Marrëveshjes së Përzhinës.

Dhe, në rrugëtimin tim njoha bashkëpunëtorë profesionistë e të ndershëm, por njoha edhe plëngprishës e dritëshkurtër. Megjithatë, për hir të atyre që shihnin te unë vetveten, çdo ditë ia vlente gjithnjë e më shumë të punohej me zell.

Këta bashkëpunëtorë nuk kishin asnjë paragjykim për përkatësinë time kombëtare, as për identitetin tim e as gjuhën time. Atyre nuk iu pengonte flamuri i kombit shqiptar në kabinetin tim, as komunikatat për mediat dhe as faqja e internetit e ministrisë në gjuhën shqipe. As kur flisja shqip në ngjarjet zyrtare. As atëherë kur me qindra shqiptarë u inkuadruan në polici. Nuk kishte paragjykime as kur banorëve të Strugës, Dibrës, Kërçovës etj., ua sollëm shërbimet për çështje dokumentacioni më afër vendbanimeve të tyre. Nuk kundërshtoi askush kur ato shërbime punonin me dy turne në kohën kur mërgimtarët u kthyen në vendlindje, e as kur përpiqeshim t’i shkurtonim radhët e gjata në kufi. Askush nuk e shikonte me siklet interesimin tim të drejtpërdrejtë për dhënien e shtetësive qindra e qindra shqiptarëve. Thuajse të gjithë ndiheshin mirë kur shikonin se si më pritnin qytetarët e vendit kur i vizitoja në lagjet e tyre, kur u trokisja në dyert e shtëpive, së bashku me uniformat blu.

Dhe sprova më e vështirë ishte 27 prilli famëkeq i këtij viti, që më bëri të njihja sy më sy dritëshkurtit në polici. Asnjëherë nuk do të mund ta harroj atë mbrëmje, kur sipas bindjes time një pjesë e punonjësve të policisë  i mundësuan një grupi huliganësh dhe qytetarësh të manipuluar të hynin në Parlamentin e Maqedonisë për të sulmuar të zgjedhurit e popullit. Nuk do t’i harrojë ato fytyra të policisë që nuk vepruan, por edhe fytyrën e atij që tradhtoi profesionin e policit, atij që nuk veproi në kohë, duke e lënë të  shndërrohet salla me deputetët në parlament në një arenë të përgjakshme si ato nëpër filma! Kjo është për të ardhur keq, dhe do të jetë njolla më e zezë që do të bartim si shtet!

Të dashur miq,

Në ato çaste, kur një minutë ishte sa një ditë, e braktisa petkun e ministrit e u vura në komunikim me të gjithë – dhe të gjithë vartësve tjerë u dhashë udhëzime e drejtime! Falë Zotit, bashkëpunëtorëve profesionistë dhe këmbënguljes sime, më në fund evakuuam dhe nxorëm të gjallë deputetët.

Të dashur miq, 

Morali nuk më linte hapësirë për kthim prapa. “Gjella nuk mund të lihej për një kokërr qepë”. Isha përkushtuar për vendosjen e drejtësisë dhe kërkimin e përgjegjësisë për të gjithë të involvuarit dhe asaj duhet t’i qëndroja deri në ditën e fundit si ministër.

Ai 27 prill për mua është më shumë se sa Prilli i Thyer i Ismail Kadaresë. Profesionalizmi dhe tradhtia ishin heshtat e kryqëzuara të Prillit të Thyer të Ministrisë së Brendshme. Në këtë dyluftim të vazhdueshëm mes të mirës dhe të keqes, do ishte dorëzuar edhe vetë Ali Asllani, i cili as në poemën e tij nuk mundi ta bënte bashkë thëngjillin nga zjarri dhe gjerdanin prej ari. Megjithatë, nuk prita fare, pa hezitim drejtova gishtin qartë dhe prerë, publikisht ndofta për herë të parë në historinë e Ministrisë së Brendshme.

Të dashur miq,

Të jesh Ministër i Brendshëm, në kushtet e një qeverie teknike, në qendër të krizës më të madhe institucionale dhe në kohën e polarizimit më të ashpër politik ka qenë mision tejet i vështirë. 

Për këtë detyrë më të rëndë në jetën time, shprehi falënderim e mirënjohje edhe për mediat që luftuan dhe ndriçuan ngjarjet rreth Ministrisë së Brendshme, si dhe komunitetin ndërkombëtar për solidaritetin dhe këshillimin!  

Mirënjohje për të gjithë ata që u përfshinë betejë pas beteje, për sigurinë, shtetin juridik dhe sundimin e drejtësisë!

Me përulësi, faleminderit që nuk më latë vetëm.

Kjo betejë përfundoi me zgjedhjen e Kryetarit të ri të Parlamentit, reflektimin e Kryetarit të Shtetit, strukturimin e maxhorancës së re parlamentare dhe zgjedhjen e qeverisë së re. 

Punova si në tokën time, pa pritur që dikush të më thoshte “Puna e mbarë”. Ngrita dorën për mbrojtjen e shtetit dhe për të drejtën, në kohën kur ato rrezikoheshin seriozisht! Falënderime për z. Ali Ahmeti që më përzgjodhi të jem shqiptari i parë në krye të Ministrisë së Brendshme!

Me nderë dhe ndërgjegje të pastër u përpoqa të jap maksimumin nga vetja.

Në fund, dëshiroj t’i urojë suksese kabinetit të ri qeveritar dhe z. Spasovski në drejtimin e Ministrisë së Brendshme.