Kreu i BDI-së Ali Ahmeti tha se do të japë dorëheqje vetëm kur Maqedonia të anëtarësohet në NATO por jo edhe nëse pëson humbje më 11 dhjetor. Në “Rruga Drejt…” në Alsat, Ahmeti tha se misioni i tij do të përmbyllet vetëm kur vendi të jetë pjesë e kësaj strukture ushtarako-politike.

“Në momentin kur Maqedonia të marrë ftesë dhe të anëtarësohet në NATO, sigurisht që kjo më vendos në situatë ku unë e shoh që misioni im ka mbaruar, për atë që unë luftova do të thotë që është e siguruar nga një mekanizëm ushtarako-politik”, deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
I pyetur për rastet e montuara gjyqësore, Ahmeti u zotua për angazhim më të madh për zbatimin e reformave në gjyqësor dhe zbardhjen e rasteve të cilat sipas tij, janë gjykuar pa prova të mjaftueshme.

“Proceset e montuara ne i kemi demaskuar dhe ja kemi bërë me dije opinionit se me cilat procese nuk jemi pajtuar sepse kanë munguar argumentet, provat sidomos atë që theksuat edhe ju për rastin e “Sopotit”. Kemi angazhuar edhe miqtë tanë ndërkombëtar dhe mendojmë se ky process është future në drejtim të mirë për zgjidhje përfundimtare”, tha Ahmeti.

Përfshirja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe edhe platformën e mandatit të ardhshëm, sipas Ahmetit është hapi I fundit drejtë përmbylljes së kësaj çështje. Edhe pse kohë më parë Ahmeti pati premtuar se universiteti i ri “Nënë Tereza” nuk do të udhëhiqet nga kuadër partiak, ai arsyeton përzgjedhjen e rektorit me të pasurit përvojën e nevojshme.

“Gjithmonë kemi pasur parasysh përvojën dhe njohuritë e z. Pollozhani dhe se një universitet i ri duhet të drejtohet nga një kuadër me eksperiencë dhe mendoj se nuk kemi bërë gabim”, deklaroi Ahmeti.

Ahmeti nuk e përjashtoi mundësinë e përzgjedhjes së kreut të VMRO-DPMNE-së si kryeministër i ardhshëm, duke thënë që këtë gjë do ta përcaktojnë votat e elektoratit maqedonas.