Ahmeti e mban fjalën, me Gruevskin bashkë në zgjedhje me 5 qeshor!

BDI mbron vendimin e KSHZ-së që zgjedhjet të mbahen më 5 qershor. Zëdhënësi i kësaj partie, Bujar Osmani thotë se vlerësimi i KSHZ-së dhe i komunitetit ndërkombëtar është tejet i rëndësishëm për hapat e mëtejmë të partisë së Ahmetit.

“Duhet të shpjegohet mirë se pas shpalljes së zgjedhjeve vetëm dy faktorë janë relevant për kredibilitetin e zgjedhjeve, realizuesi dhe monitoruesi. Realizuesi është KSHZ-ja, organ i balancuar politikisht dhe i pavarur, kurse monitoruesi është komuniteti ndërkombëtar. Për ne si BDI vetëm qëndrimet e këtyre dy faktorëve janë të rëndësishme, qëndrimet e VMRO-së, LSDM-së, Qeverisë janë qëndrime të kalkuluara politikisht për interesa partiake. BDI do të marr vendim në interes të shqiptarëve dhe në bazë të vlerësimeve të këtyre dy faktorëve”, deklaroi Bujar Osmani, zëdhënës i BDI-së.

Nga PDSH-ja nuk kanë qëndrim të prerë se do të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme ose jo! Nga kjo parti thonë se janë në koordinim me ndërkombëtarët dhe çfarë do që të vendosin ata, ajo do të jetë fjala e fundit e PDSH-s.

“Pas vendimit të KSHZ-së vlerësojmë se nuk janë përmbushur kushtet për zgjedhje kredibile pasi që Lista zgjedhore mbetet diskutabile gjithashtu edhe Njësitë zgjedhore në gjendjen aktuale nuk janë të barabarta për nga numri i votuesve dhe me këtë rast shqiptaret humbin 5-6 deputet”, deklaruan nga PDSH.

Partitë jashtëparlamentare shqiptare, gjithashtu janë shprehur kundër mbajtjes së zgjedhjeve më 5 qershor, pasi sipas tyre, akoma nuk janë plotësuar të gjitha kushtet e parapara me marrëveshjene Përzhinës.