Dy orë pasi kryetari i LSDM-së Zoran Zaev lëshoi selinë e BDI-së, për media doli të prononcohet edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Ai tha se gjuha shqipe është gjuhë zyrtare për shkak se me kushtetutë është e garantuar që çdo etnitet që përbën më shumë se 20% të popullsisë së përgjithshme, të mund të shfrytëzoj gjuhën e tij.

Ahmeti theksoi se vendimi që do të marrin nuk duhet të jetë i ngutshëm dhe se duhet të jetë vendim që të gjitha palët të jenë të kenaqura.

Kreu i BDI-së tha se ditëve në vijim do të thirret Kryesia e partisë për të marrë vendime më të rëndësishme.

Ahmeti deklaroi se me Zaevin sot nuk kanë biseduar për çështjen e nënshkrimeve por për dallimet në platformat e tyre. Tema kryesore e takimit sipas Ahmetit ka qenë zyrtarizimi i gjuhës shqipe në nivel nacional./botasot.info