Duke evokuar kujtime nga rinia e tij, kryetari i BDI-së Ali Ahmeti ka treguar edhe një rast kur babai i tij ja ka gjetur një gazetë me fotografinë e Titos me ballë të shqyer, në “meshalicën” e betonit. Sipas gjestikulimit të Ahmetit, babai i tij me këtë rast ja ka dhënë një flakareshë, duke thënë se “Jugosllavia është e fortë” dhe se nuk mund të shkatërrohet.

“Babai im më tha lëreni këto punë, Jugosllavia është e fortë. Prindi si prind kish frikë, a po kupton…Ishte punë shumë serioze, shumë e rrezikshme, t’ia çash ballin Titos. Ju tha se bëni dot këtë punë. Hajt rrini se do u burgosin, edhe ata para nesh burra të mëdhenj ishin, thoshin do bëjmë kështu, do bëjmë ashtu, e do i vrasim shkitë, por ata nuk patën sukses. Dhe unë u krekosa pak e i thash do e shihni ju çka do bëjmë ne. Do e përmbysim Jugosllavinë…”, tha Ahmeti në shënimin e 35 vjetorit të protestave studentore. Kjo pjesë e rrëfimit të tij u përcoll me duartrokitje, mirëpo Ahmeti vazhdoi se puna nuk ka qenë bash për duartrokitje.