Kreu i BDI-së Ali Ahmeti vlerëson se të akuzuarit në rastet “Sopoti” dhe “Monstra” janë dënuar pa dëshmi të mjaftueshme. Ahmeti në “Rruga Drejt” u zotua se pas zgjedhjeve partia e tij do të fokusohet në zbatimin e reformave të nevojshme në gjyqësor.

 

“Proceset e montuara ne i kemi demaskuar dhe ja kemi bërë me dije opinionit se me cilat procese nuk jemi pajtuar sepse kanë munguar argumentet, provat sidomos atë që theksuat edhe ju për rastin e “Sopotit”. Kemi angazhuar edhe miqtë tanë ndërkombëtar dhe mendojmë se ky proces është future në drejtim të mirë për zgjidhje përfundimtare”, tha kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Përfshirja e zyrtarizimit të gjuhës shqipe edhe në këtë program parazgjedhor, sipas Ahmetit është hapi i fundit drejtë përmbylljes së kësaj çështje. Edhe pse kohë më parë Ahmeti kishte premtuar se universiteti i ri “Nënë Tereza” nuk do të udhëhiqet nga kuadër partiak, ai arsyeton përzgjedhjen e rektorit me të pasurit përvojën e nevojshme.
“Gjithmonë kemi pasur parasysh përvojën dhe njohuritë e z. Pollozhani dhe se një universitet i ri duhet të drejtohet nga një kuadër me eksperiencë dhe mendoj se nuk kemi bërë gabim”, tha Ahmeti.
Ahmeti tha se do të largohet nga pozita e kryetarit të partisë vetëm kur Maqedonia të anëtarësohet në NATO por jo edhe nëse partia e tij pëson humbje më 11 dhjetor.
“Në momentin kur Maqedonia të marrë ftesë dhe të anëtarësohet në NATO, sigurisht që kjo më vendos në situatë ku unë e shoh që misioni im ka mbaruar, për atë që unë luftova do të thotë që është e siguruar nga një mekanizëm ushtarako-politik”, deklaroi Ahmeti. Ahmeti nuk e përjashtoi mundësinë e përzgjedhjes së kreut të VMRO-DPMNE-së si kryeministër i ardhshëm, duke thënë që këtë gjë do ta përcaktojnë votat e elektoratit maqedonas./almakos.com