Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka akuzuar presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi që po përzihet në formimin e Qeverisë.

Ai ka thënë se Thaçi përfaqëson vetëm interesat e një partie dhe ka shkuar edhe në plazhe për t’ia siguruar numrat PAN-it.

“Është e ditur se Thaçi nuk është figurë uniteti. Kërcënimet ndaj Pacollit, dhe ai vazhdon të jetë një person që në mënyrë vullnetare dëshiron ta shtrembërojë vullnetin e qytetarëve. Ai ka shkuar edhe nëpër plazhe për të bindur deputetët që të sigurojë numrat për Qeverinë. Ai përfaqëson interesat e një subjekti politik apo më mirë të themi të një rrjeti. Ai duhet të thërrasë për mbledhje konstituive të Kuvendit”, ka thënë Ahmeti në Interaktiv të KTV-së.

Ahmeti gjithashtu ka komentuar edhe letrën e Ramush Haradinajt drejtuar Vetëvendosjes, përmes së cilës ka kërkuar që të diskutohet për situatën politike në Kosovë.

“Nuk e kemi kuptuar qëllimin nga letra e dërguar e Haradinajt. Ai në letër kishte shkruar ejani të diskutojmë situatën politike në Kosovë. Ne i kemi thënë se situata është e qartë”, është shprehur ai./koha.net