Nxënës të disa shkollave, aktivistë ekologjik dhe administrata komunale sot grumbulluan mbeturina nga disa lokacione në Gostivar si pjesë e aktiviteteve për shënimin e 22 Prillit – “Ditës së planetit Tokë”.

Aksioni për pastrim të mbeturinave filloi para selisë së Komunës Gostivar, të cilit iu bashkangjit edhe kryetari i Komunës, Arben Taravari.

Sot pastrim u bë në të gjitha oborret shkollore, ndërsa në fshatrat përreth, krahas oborreve, u pastruan edhe mbeturinat nga rrugët.

“Qëllimi i këtij aksioni është të ngritet vetëdija tek bashkëqytetarët tanë për rrethinë më të pastër. Secili sot do të mënjanojë mbeturina dhe do të kujtojë për atë kur të vendosë të hedhë në rrugë, e jo në shporta. Edhe pse ky është aksioni i parë i llojit të këtillë, do të përpiqemi të bëhet traditë, e jo vetëm për ditën e planetit. Pastrimi është obligim i shërbimeve komunale, ndërsa ne do t’u ndihmojmë dhe do t’i korrigjojmë ato vende që i kanë anashkaluar”, tha Taravari.

Përveç parqeve, nxënësit dhe eko-aktivistët grumbulluan mbeturina të hedhura edhe në afërsi të blloqeve urbane.