Turqia akuzon disa kompani gjermane me prestigj botëror, se financojnë terrorizmin. Mes tyre është edhe kompania që prodhon automjetet Mercedes Bencin, Daimler. Firmat akuzohen si bashkëpuntore të lëvizjes Gylen.

Sipas autoriteteve turke, ka edhe firma të mëdha gjermane me famë botërore që mbështesin terrorizmin. Mes tyre është gjigandi “Daimler” me qendër në Shtutgart, prodhon automjetet e brandit më në përlqyer në botë Mercedes Benz.
E përditshmja Bild ka zbuluar një listë që qeveria turke i ka dërguar asaj gjermane, me emrat e kompanive gjermane që financojnë aktivitete terroriste në Turqi. Më konkretisht bëhet fjalë për firma gjermane që bashkëpunojnë me shoqëri të lidhura me aktivitetet e klerikut turk në arrati, Fetullah Gylen, të cilin presidenti turk Rexhep Taip Erdoan e ka akuzuar si organizator të grushtit të dështuar të shtetit të korrikut të vitit të kaluar.
Në listën që e përditshmja gjermane Bild ka arritur të sigurojë është edhe një prej të përjavshmeve më të mëdha gjermane “Die Zeit”, gjigandi i industrisë kimike BASF, rrjeti i dyqaneve 24-orëshe Spätkauf por edhe një rrjet turk fastfudesh.
Bild shkruan gjithashtu se në qarqet e brendshme të qeverisë gjermane, lista turke konsiderohet si qesharake dhe absurde. Zyra e federale gjermane e anti-krimit u ka kërkuar të dhëna më të detajuara autoriteteve turke, por ende nuk ka marrë prej tyre asnjë përgjigje.
Në fillim të qershorit, presidenti turk shpjegoi në një intervistë për mediat gjermane se janë rreth 4500 dosje me individëve dhe bizneseve në Gjermani që lidhen me Gylenin.
Që prej grushtit të dështuar të shtetit, autoritetet turke kanë ndaluar mbi 50 mijë njerëz, të dyshuar si mbështetës të lëvizjes gyleniste. Në valën e arrestimeve të ditëve të fundit ishin edhe 6 aktivitë të Amnesty International, mes të cilëve edhe gjermani Peter Steudtner.
Ndalimi i tij detyroi ministrin e jashtëm gjerman Zigmar Gabriel, të thërrasë për sqarime ambasadorin turk në Berlin.