Me rastin e Javës Ndërkombëtare të Arsimit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Maqedoni organizon Panairin e tretë vjetor të kolegjeve amerikane. Ngjarja do të mbahet nesër, 17 nëntor, në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” – Shkup, nga ora 16:00 deri në 18:00. Hyrja në Panairin e kolegjeve është pa pagesë dhe ftojmë studentët dhe prindërit e tyre që të marrin pjesë, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Njëzet pjesëtarë të Ambasadës, përfshirë zëvendës-ambasadoren Micaela Schweitzer-Bluhm, do të prezantojnë më tepër se 30 universitete ku kanë bërë shkollën dhe do të përgjigjen në pyetje për arsimin e lartë në Shtetet e Bashkuara.

Këshilltarët e programit EducationUSA do të ofrojnë informacione rreth procesit për aplikim në universitete në SHBA, si dhe do të informojnë për shërbimet e EducationUSA në qendrat nëpër Maqedoni. Ndihmësi për çështje arsimore pranë Ambasadës do të përgjigjet në pyetje rreth mundësive për bursa të qeverisë Amerikane dhe programe për shkëmbim arsimor.