Merr fund ëndrra e gjyqtarëve dhe prokurorëve për t’i shpëtuar vetingut. Më 18 shtator nis zyrtarisht procesi i rivlerësimit për të gjithë njerëzit e drejtësisë. Të gjitha institucionet e reja të drejtësisë brenda këtij harku kohor duhet të jenë ngritur, pasi nis zyrtarisht puna dhe nuk ka më kthim prapa. Do hapen menjëherë dosjet e para të pasurisë të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë që do të kapen me shkelje ligjore dhe që nuk justifikojnë pasurinë e vënë, jo vetëm që do të përjashtohen nga sistemi i drejtësisë, por SPAK për raste të caktuara ka të drejtë të hetojë dosjen e një individi të caktuar. Ambasadorja e Bashkimit Europian, Romana Vlahutin, në një intervistë televizive në emisionin e gazetarit Aleksandër Furxhi, “Kapital”, paralajmëroi se procesi i vetingut nis zyrtarisht në 18 shtator, teksa la të nënkuptohet se në krye të SPAK do jetë një femër. “Në 18 shtator fillon zyrtarisht vetingu. Kjo do të hapë mundësinë për krijimin e institucioneve si KLP dhe KLGJ, dhe ata njerëz do të përzgjedhin edhe gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe gjyqtaren që do jetë në krye të SPAK. Ne do të shikojmë që reforma do krijojë formën institucionale. Ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm. ONM është që të sigurojë që ky proces të plotësojë standarde më të larta. Unë kam besim të plotë se procesi i vetingut duhet të sigurojë që të gjithë ata prokurorë dhe gjyqtarë që e bëjnë punën me dinjitet të plotë të jenë të respektuar në punën e tyre. Kjo sjell besim dhe ndërmjet institucioneve dhe qytetarëve”, u shpreh Vlahutin.

Reforma zgjedhore

Ambasadorja e BE foli edhe për reformën zgjedhore. Ajo theksoi se Shqipëria ka nevojë për një reformë zgjedhore, e cila duhet të nisë menjëherë dhe jo të lihet për në fund. Duke folur për zgjedhjet e 25 qershorit, ajo tha se zgjedhjet ishin të mira, por duhet një reformë zgjedhore, e cila duhet të konsistojë kryesisht në depolitizimin e procesit zgjedhor. “Kam qenë në mbi 30 qendra votimi dhe kam parë çdo gjë. Ne jemi përpjekur të bëjmë atë që duhet të jetë një reformë e duhur zgjedhore. Janë rekomandime e ODIHR që nuk janë ndjekur. Zgjedhjet duhet të depolitizohen. Reforma duhet të nisë që në ditët e para të punës së Kuvendit. Ka akoma punë për t’u bërë, por ne mendojmë se këto zgjedhja ishin të mira”, tha Vlahutin.

Lufta kundër drogës dhe krimit

Kryediplomatja e BE u shpreh se janë bërë përparime në luftën kundër kanabisit dhe krimit të organizuar, por është një luftë që duhet të vazhdojë dhe të kalojë në një nivel tjetër. “Në lidhje me këtë dhe vlerësimet përfundimtare, ne varemi nga kolegët tanë të Guardia di Financa që kanë marrë asistencë shtesë që fluturimet e tyre të mbulojnë terrorin më shumë se ç’kanë mbuluar. Ecuria e tyre është mjaft e madhe, por ata duhet të japin opinionin përfundimtar. Ajo që kemi dëgjuar prej tyre është shumë mahnitëse sa i takon suksesit. Lufta kundër krimit dhe drogës është një çështje që duhet të kalonte në një nivel tjetër; pati operacione të suksesshme, ka patur operacione si ai i Lazaratit por është një aktivitet që s’mund të jetë i herë pas hershëm. Sa i takon kanabisit duhet të presim rezultatet përfundimtare nga autoritetet italiane. Krimi i organizuar është më i madh. Ne jemi të hapur të shikojmë me ministrinë në të ardhmen, e cila do jetë ministria kyçe sidomos në çeljen e negociatave. Çelja e negociatave varet nga Shqipëria”, tha Vlahutin.