Ramush Haradinaj, më në fund, është shumë afër për të realizuar atë që e kërkonte qysh prejse ishte kthyer nga Haga – të bëhet kryeministër i Kosovës.

Nga ora 16:00 do të fillojë seanca me vetëm një pikë në rëndin e ditës, zgjedhjen e Haradinajt kryeministër dhe votimin e kabinetit të tij qeveritar.

Me koalicionin e gjerë me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismën për Kosovën, Aleancën Kosova e Re, të ashtuquajturën Listën Rugova, që ka vetëm një votë dhe minoritetet, Haradinaj potencialisht i ka 63 vota – të mjaftueshme për ta zgjedhur si të parin e ekzekutivit.

Kryetari i AAK-së ka marrë edhe një garanci të madhe se sot e fiton besimin, pasi që partneri tij kryesor në koalicion, Kadri Veseli, ka thënë dje në një intervistë se përkundër se ai tashmë është zgjedhur kryetar i Parlamentit, nuk e njeh vetën si të tillë, derisa edhe Haradinaj të zgjedhet kryeministër.

Atëherë, ka thënë Veseli, mund ta quajmë punë të kryer konstituimin e institucioneve.