Pas incidentit të mbrëmshëm në Shkup, ku i plagosur ka mbetur Daniel Trajkovski, truproje e kryetarit të LSDM-së, Zoran Zaev, janë shtuar dyshimet se prapavija e incidentit mund të ketë politike. Trajkovski para katër muajve gjatë një rrahje i pat shkaktuar lëndime të rënda një truproje të Sasho Mijallkovit, i cili pas disa ditëve vdiq në spital. Për këtë arsye është shtuar frika se ky incident i ri mund të shkaktojë vazhdim të incidenteve mes përkrahësve të Zaevit nga njëra anë dhe përkrahësve të Gruevskit e Mijallkovit nga ana tjetër.

Analistët shqiptarë rikujtojnë se çdo herë kur tensionohen raportet mes VMRO-së dhe LSDM-së, ndodhë ndonjë incident te shqiptarët për t’i dhënë drejtim tjetër krizës. Ata dyshojnë se prapa këtyre incidenteve qëndron BDI-ja, si vegël në duart e maqedonasve për të shuar tensionet mes VMRO-së dhe LSDM-së, duke hedhur topin në teren shqiptar. Ata kërkojnë nga shqiptarët që të jenë të kujdesshëm, sepse një gjë e tillë mund të ndodhë edhe tani, pas tensionimit më të ri mes përkrahësve të Zaevit dhe Mijallkovit, transmeton Gazeta Lajm.

Kryetari i BDI-së në një intervistë me gojën e vet pat thënë se ka qetësuar raportet mes strukturave të VMRO-së dhe LSDM-së në MPB, në mandatin e parë të Oliver Spasovskit si ministër në qeverinë teknike. Ky deklarim i tij pat shkaktuar reagime të shumta te opinionistë shqiptar, të cilët pyetnin se pse Ahmeti autoritetin e tij të madh nuk e ka shfrytëzuar për të penguar ngjarjet e Kumanovës.