Pavarësisht formimit të Qeverisë së re kriza politike në Maqedoni vazhdon edhe më tej. Kështu vlerëson analisti politik Selim Ibrahimi, i cili thotë se akoma nuk mund të ndjehen reformat të cilat janë premtuar, duke shtuar se për t’u arritur e gjithë kjo, kësaj Qeverie do i duhej edhe një tjetër mandat. Ai vlerëson po ashtu edhe se zvarritja e procesit për ndërrimin e kryeprokurorit Zvërlevski është një konflikt brenda VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, që e pengon zgjidhjen e çështjeve që i tangon shqiptarët.

Ndërkaq, analisti politik, Branko Gerovski, gjithë këtë situatë e cilëson si një proces të daljes nga kriza e gjatë me të cilën është përballur Maqedonia për 4-5 vite me rradhë. Ai vlerëson se nevojitet më shumë vendosshmëri nga ana e shumicës parlamentare për t’i dhënë fund kësaj situate.

Tashmë rreth dy muaj, në Kuvendin e Maqedonisë po diskutohet për shkarkimin e Zvërlevskit, nga ana tjetër VMRO-DPMNE ka dorëzuar gjashtë interpelanca për Ministrat e Qeverisë së re, të cilat duhet të futen po ashtu në diskutim në Kuvendin e Maqedonisë. Derisa nga ana tjetër draft-ligji për gjuhët, i cili ka kaluar në Qeveri, akoma pret që t’i vie radha për t’u futur në rend dite në një nga seancat e Kuvendit. /SHENJA/


Bllokimi-analistët by tvshenjaofficial