Transporti publik në Tetovë mbetet një nga problemet kryesore të këtij qyteti dhe një nga premtimet më të rëndësishme të cilat i shkeli kryetarja e kësaj komune, Teuta Arifi, gjatë mandatit katër vjeçarë në krye të Tetovës. Transporti publik ishte një nga premtimet kryesore të fushatës së zgjedhjeve të kaluara lokale, ndërsa Arifi e kishte premtuar edhe gjatë çdo fundviti. Ajo kishte kërkuar që Qeveria t’i ndajë autobusë dhe nëse nuk i plotësohet kjo kërkesë ishte zotuar se ato do t’i sigurojë me mjete të Komunës. Viti 2017 ishte viti kur transporti publik duhej të ishte vënë në funksion.

Teuta Arifi, kryetare e Komunës së Tetovës

“Dua të potencoj edhe një moment të rëndësishëm të këtij viti, themelimin e ndërmarjes për transport publik dhe kërkesën e dërguar deri tek qeveria të na ndajë autobusë, në këtë rast 8, një lloj si Komunës së Shkupti që të mund të funksionojë transporti publik në Tetovë. Përgjigje për kërkesën tonë ende nuk kemi pranuar, mirëpo kërkesa jonë qëndron ende e hapur, sikur vendosmëria që vitin e ardhëshëm me mjete vetanake ta materializojmë këtë projekt që është shumë i rëndësishëm për qytetin si në aspekt të reduktimit të trafikit urban, poashtu edhe në reduktimin e ndotjes së ajrit”

Por pas përfundimit të mandatit të plotë, Tetova ende nuk ka transport publik. Në mungesë të autobusëve urban, qytetarët e Tetovës shfrytëzojnë automjetet private, ndërsa nxënësit, studentët dhe banorët e zonave rurale shfrytëzojnë furgona dhe autobusë të kompanive private. Shfrytëzimi i automjeteve dhe taksive në rrugët e qytetit përveç shpenzimeve të larta për qytetarët shkaktojnë edhe mbingarkim dhe kaos në komunikacion. Qytetarët e anketuar thonë se kjo është një nevojë urgjente për qytetin, ndërsa akuzojnë udhëheqësit e pushtetit lokal për mospërmbushjen e premtimeve që japin gjatë fushatës parazgjedhore.  Televizioni Shenja kontaktoi edhe Komunën e Tetovës, por nga kabineti i kryetares Teuta Arifi gjatë gjithë ditës nuk dhanë asnjë përgjigje ose qëndrim për këtë çështje./SHENJA/


Teuta Arifi si mbajti premtimet by tvshenjaofficial