Asnjë rezultat nga llogaridhënia e zyrtarëve të BDI-së nuk është bërë publik në opinion. Projekti i filluar muaj më parë nuk dihet as nëse ka përfunduar, do të vazhdoj ose është ndërprerë në gjysmë. Sipas analistëve politik, llogaridhënia mes funksionarëve shqiptarë në Qeveri nga radhët e BDI-së, ngjasonte më shumë në një aktrim dhe cirk parazgjedhor.
“Veç u pa që, publiku opinioni e vërejti që ky aktivitet ishte në funksion të një propaganda ashiqare të themi, këtë lloj llogaridhënie nuk e kemi  prezente, pra nuk duhet t’i shohim për ditë në terren ministrat, të zgjedhurit tanë që të japin llogari për projektet të cilat i kanë realizuar ose projektet që janë në realizim e sipër. Mendoj se ministrat shqiptarë pra, ministrat e BDI-së, funksionarët e tyre, po aktrojnë në njëfarë llogaridhënie. “, ka deklaruar analisti Xhelal Neziri.
Sipas Isen Saliut, BDI nuk ka dhënë llogari as në mandatet e kaluara, nuk ka bërë publike as marrëveshjet për koalicionim, andaj thotë se as në këtë mandate nuk duhet pritur ndonjë llogaridhënie serioze.
“Për mendimin tim kjo dëshmon se BDI më shumë ekziston për vetveten dhe funksionarët e vetë sesa për tu dhënë llogari qytetarëve. Mos të harrojmë se vizitat të cilat realizoheshin nga një institucion në tjetrin të funksionarëve të BDI-së, nuk janë rasti i vetëm që kjo parti nuk ju ka dhënë llogari qytetarëve. Kjo parti madje nuk i ka bërë publike as marrëveshjet me të cilat bëhet pjesë e koalicionit qeveritar”, është shprehur gazetari Isen Saliu.
Sipas Saliut, shtyrja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare ishte shkaku i ndërprerjes së kësaj fushate dhe me këtë thotë ai u dëshmua se të gjitha ato takime ishin pjesë e fushatës parazgjedhore.
“Nuk duhet habitur, nuk është ndonjë moment i ri i qasjes së BDI-së ndaj opinionit publik. Mendoj se këtu ka luajtur rol edhe prolongimi i zgjedhjeve, sepse që në fillim vizitat nga një institucion në institucionin tjetër i ngjanin më shumë një cirku parazgjedhorë”, shtoi më tej Saliu.
Analistët nuk përjashtojnë mundësinë që me afrimin e fushatës parazgjedhore nëse zgjedhjet mbahen më 5 qershor, zyrtarët e BDI-së të riaktivizojnë takimet mes vete në të cilat pretendojnë se kërkojnë llogari nga njëri-tjetri. /SHENJA/