Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se Grupi Parlamentar i partisë së tij do ta bojkotojë Kuvendin e Kosovës si mënyrë për të çuar vendin në zgjedhje dhe nuk do të kthehet deri në zgjedhjen e një legjislature të re.

Këto deklarata, Haradinaj i bëri në një takim që zhvilloi sot me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili sot qëndroi për një vizitë në Kosovë.

Në një konferencë për mediat, Basha këshilloi politikanët kosovarë që gjithsecili të jap kontributin e vet për të tejkaluar krizën politike.

Ndërsa, Haradinaj nuk kurseu fjalët, duke e quajtur Partinë Demokratike të Shqipërisë si themel i Shqipëri së re dhe demokracisë në Shqipëri.

I pari i AAK-së tha se dalja e GP të AAK-së nga Kuvendi është bërë për kohë të pacaktuar, dhe sipas tij, AAK nuk do të kthehet në Kuvendi deri në shkuarjen e vendit në zgjedhje.

“Kjo dalje nënkupton rritjen e një kundërshtimi opozitar, kthim te qytetari me qëllim që edhe mandatin me ja kthyer qytetarit, pra me dërgua vendin në zgjedhje… Dalja është për një kohë të pacaktuar, është dalje nga parlamenti. Pra me idenë që vendi me u dergu në zgjedhje… AAK si subjekt politik ka pas një drejtim të marrë dhe ia ka dhanë mundësinë grupit parlamentar me vendos. Ai quhet propozim-vendim, por Aleanca propozim-vendimin e ka marr vetë. Ky propozim-vendim ka qenë në diskursin pastaj në Grupin Parlamentar me u zbatu, por ideja ka qenë me u kordinu me grupet të tjera”, tha Haradinaj.

Haradinaj gjatë takimit me Bashën tha se Partia Demokratike e Shqipërisë është themel i Shqipërisë së re.

Ndërsa, mysafiri nga Shqipëria Basha tha se uron dhe shpreson që të bashkohen të gjithë për qëllime të përbashkëta që të zgjidhet kriza në rrugët pa kosto.

“Vi si një mik dhe admirues i veprës dhe sakrificës së familjes Haradinaj, të Ramush Haradinajt për luftën për lirinë e Kosovës si nderim për sakrificën dhe veprën e qindra, mijëra bashkëluftëtarëve të tij pa të cilën Kosova nuk do të ishte as e lirë e as pavarur… Në lidershipin e tij opozitar për kauza të drejta të opozitës si kundër dhe për interesa thelbësore të Kosovës dhe kombit shqiptar, për të cilat Kosova faktorët politik – mazhorancë apo opozitë – kanë dhe do të kenë përkrahjen e plotë dhe të vendosur të Partisë Demokratike. Duke çmuar sfidat e Kosovës si një mundësi ku gjithsecili të jap kontributin e vet për të tejkaluar ato, uroj dhe shpresoj që duke bashkuar vullnetet për qëllime të përbashkët të zgjidhen rrugët më pak kosto, dhe në mënyrë që të mos dëmtohet, por t’i shërbehet konsolidimit të shtetit të Kosovës, t’i shërbehet njohjes së mëtejshme ndërkombëtare të Kosovës integrimit evropian të Kosovës dhe euroatlantik të Kosovës si interes themelor kombëtar”, tha Basha.

Basha vizitën në selinë e partisë opozitare e cilësoi si shkëmbim informacionesh dhe pikëpamjesh për situatën politike në Tiranë dhe Shqipëri dhe jo për t’i dhënë leksione njëri-tjetrit.