Pavarësia e gjyqësorit është një dëshirë e kamotshme në Maqedoninë e Veriut, mirëpo për momentin më shumë dëshirë, se sa realitet. Të gjitha anketat që bëhen tregojnë nivel të ulët të besimit të qytetarëve tek gjykatat, si dhe përqindje të lartë të atyre që mendojnë se gjykatat në Maqedoni janë të korruptuara. Poashtu shumica e qytetarëve vlerësojnë se gjykatat janë të politizuara dhe senë raste të mëdha gjyqësore vendimet më tepër I sjell politika, se sa personat me toga të zeza.
Të njëjtat dyshime ekzistojnë edhe lidhur me lirimin e ish drejtorit të DSK-së, Sasho Mijallkov, i cili tani do të mbrohet në liri. Vetë garanca që ka ofruar Mijallkov në vlerë mbi 11 milionë euro, krijon përshtypje se bëhet fjalë për një figurë që ka kapacitet të ketë ndikim të madh edhe në qarqe politike edhe në qarqe gjyqësore. Sikur të jetë ajo e tërë pasuria që posedon Mijallkov është shumë për rrethanat në vendin tonë, e lëre më që fliten e përfliten shuma tjera marramendëse të cilat gjoja ai i posedon. Krejt kjo, e ripërsërit vazhdimisht dilemën e opinionit se kush e liroi Sasho Mijallkovin: Gjyqësori, apo politika?
Përgjigje më konkrete në këtë pyetje opinion me siguri do të marë në bazë të “lëvizjeve” që do i bëjë Mijallkov në liri. Përveç si njeri i fuqishëm i shërbimit sekret, e më pas edhe si biznesmen, Mijallkov është i njohur edhe si figurë që ka ndikim në politikë.
Kjo u vërejt pas vitit 2017, kur arriti të shkëpusë 8 deputetë nga VMRO-DPMNE të cilët formuar grup të pavarur parlamentar. Të gjithë e dinin se ai grup prej tetë deputetëve vepron dhe voton me urdhër të Mijallkovit.
Poashtu fotografia e tij në një tavolinë me Artan Grubin në hotel Marriot, tregon se Mijallkov ka ndikimin e vetë edhe tek politikanë shqiptarë, që mbajnë pozita të fuqishme partiake dhe ekzekutive. Edhe pse ata në opinion njihen si kundërshtarë dhe kritikues të tij, por ja që në prapavijë kanë punuar ndryshe.
Një tregues se kush në të vërtetë e liroi Mijallkovin, do të jetë sjellja e tij pas daljes nga burgu. Para se të përfundojë në burg, ai njihej si kundërshtar i ashpër i kryetarit aktual të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski dhe konsiderohej si organizator i grupit partiak që kërkonte Kongres të parakohshëm pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar. Më pas një pjesë e grupit iu bashkua Mickovskit, një pjesë u hesht, e simptomatike është se VMRO-DPMNE nuk ka dalë me asnjë koment për vendimin e Gjykatës. Me koment nuk ka dalë as LSDM, e as ministri i drejtësisë Bojan Mariçiq, i cili ishte mjaft i zëshëm në rastin e parë kur u soll vendimi për lirimin e tij. Kjo do të thotë se edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE ndoshta kanë filluar të bëjnë kalkulimet e tyre për të shfrytëzuar “shërbimet e Mijallkovit” për të dëmtuar njëra tjetrën.
Ka reaguar vetëm opozita shqiptare, duke akuzuar se “gjykatat e kontrolluara nga regjimi LSDM-BDI arritën të triumfojnë kundër drejtësisë dhe qytetarëve”. Sipas ASH-së, Sasho Mijallkov, partneri kryesor i këtij regjimi, me vendim të Gjykatës së Apelit, përfundimisht lëshohet në liri. Kjo ditë do të mbahet mend si dita më e zezë e drejtësisë në vend. Sot krimi, korrupsioni dhe regjimi u bënë bashkë për të shpëtuar kumbarin e tyre nga drejtësia, përderisa qindra qytetarë padrejtësisht mbahen në burgje.
Jashta politikës, kanë reaguar edhe shqiptarët që gjeden nëpër burgje, të cilët shprehin indinjatën për lirimin e tij. Athua ata mund të shpresojnë për drejtësi, nëse nuk arrijnë të bëjnë 11 milionë euro.(Zhurnal)