Android 11 do të marrë më të mirën e Android 10 dhe ta dërgojë një nivel më lart kur të debutojë këtë vit, por mesa duket do të ketë edhe disa kufizime sa i përket pajisjeve që mund ta kenë.

Sipas një informacioni të rrjedhur nga vetë Google, të gjitha pajisjet e reja që debutojnë me Android 11 dhe kanë më pak se 2GB RAM duhet të përdorin Android Go.

Android Go është një version i “lehtë” i Android me aplikacione të reduktuara në madhësi. Është dizajnuar për pajisjet e segmentit të ulët të cilët e kanë të vështirë të përballojnë versionin e plotë të Android.

Nëse ky informacion është i saktë, atëherë pajisjet me më pak se 2GB RAM duhet të përdorin Android Go domosdoshmërisht.

Duke filluar nga tre mujori i fundit i këtij viti, pajisjet e reja me Android 10 duhet të kalojnë në Android Go në versionin e ardhshëm të sistemit operativ nëse kanë më pak se 2GB RAM.

Ndërsa pajisjet ekzistuese të cilat kanë Android 10 dhe më pak se 2GB RAM, atëherë prodhuesi mund ta kalojë në Android 11 pa kaluar në Android Go.

E thënë thjeshtë shumë shpejtë versioni i plotë i Android nuk do të jetë një opsion për pajisjet e segmentit të ulët. Për të shkuar më tutje Google ka vendosur të mos suportojë më shërbimet e saj (Google Mobile Services) në pajisjet me më pak se 512MB RAM duke filluar nga Android 11.