Qendra e këtillë rekreative dhe sportive pranë Lumit Vardar në Gostivar, pritet që t`i jep pamje tërësisht ndryshe kësaj zone, ndërsa do të jetë në shërbim të qytetarëve për të kaluar një pjesë të ditës

Gostivari do të bëhet me qendër rekreative moderne sportive. Bëhet fjalë për një projekt që e financon Agjencia zvicerane për zhvillim, vlera e të cilit është 50 mijë euro. I gjithë projekti do të kushtojë 250 mijë euro, kurse Komuna e Gostivarit do të financojë pjesën më të madhe, respektivisht do të ndajë 200 mijë euro. Koordinatori i projektit, Dashmir Osmani, nga Qendra për zhvillim ekonomik lokal, thotë se projekti do të shtrihet nga Ura e vogël e deri te Ura e re, ndërsa gjatësia është 420 metra. “Projekti ka filluar që vitin e kaluar, me aplikimin që e bëmë në UNDP, në kuadër të projektit “Fuqizimi i këshillave komunale”. Në kuadër të këtij projekti u mbajt edhe aktiviteti forumi në bashkësi. Ne, më pas nënshkruam marrëveshje me Agjencinë zvicerane për zhvillim për ndërtimin e Qendrës sportive-rekreative pranë Lumit Vardar. Në dhjetor, kur është miratuar buxheti i Komunës së Gostivarit, ne kemi paraparë rreth 200 mijë euro për këtë projekt. Pra, pjesën më të madhe të projektit e financon Komuna e Gostivarit, ndërsa pjesa tjetër është nga UNDP-ja, gjegjësisht nga Agjencia zviceran për zhvillim, e cila merr pjesë më rreth 50 mijë euro”, tha Osmani.

Ky projekt i cili ka filluar të realizohet këtyre ditëve, pritet që të përfundojë në muajin shtator, pohon Osmani, dhe llogaritet ndër projektet më të suksesshme dhe njëkohësisht është një nga investimet më kapitale që realizohet këtë vit. Në këtë Qendër rekreative dhe sportive janë paraparë të vendosen, pajisje urbane, ndriçim publik, rregullim i veçantë i hortikulturës. Krahas kësaj, do të ketë edhe pajisje të veçanta për personat me nevoja të posaçme, dhe shtigje të posaçme për personat me shikim të dobët. Po ashtu, në projekt është paraparë që të ketë edhe hapësira për pensionistët. “Ky projekt parashihej të përfundon kah fundi i muajit gusht, mirëpo për shkak të zgjedhjeve dhe situatës me pandeminë e virusit Covid 19 dhe kjo ndikoi që të fillohet pak me vonesë, dhe besojmë se deri në fund të muajit shtator ky projekt të realizohet. Projekti ngërthen në vete vendosjen e ndriçimit publik, pajisjeve urbane, pajisjeve sportive, rregullim të hortikulturës, dhe për ne si komunë paraqet një nga investimet më të mëdha për vitin 2020. Kujdes i është kushtuar edhe personave që janë pjesë e kategorive të ndryshme, si për pleqtë, për personat me aftësi të kufizuar dhe për të verbrit”, deklaroi Dashmir Osmani nga Qendra për zhvillim ekonomik lokal.

Projektet që janë të kësaj natyre, kalojnë disa faza. Faza e fundit është kur komuna së bashku me qytetarët përcaktojnë projektet prioritare dhe më pas aplikohet në këtë agjenci. Ky projekt realizohet në të gjitha komunat në Maqedoninë e Veriut, ku vet qytetarët zgjedhin se cili është projekt më së shumti që u nevojitet. Qendra e këtillë rekreative dhe sportive pranë Lumit Vardar në Gostivar, pritet që t`i jep pamje tërësisht ndryshe kësaj zone, ndërsa do të jetë në shërbim të qytetarëve për të kaluar një pjesë të ditës, ngase qendrat e këtilla të hapura sportive mungojnë në territoret e komunave ku shumicë e banorëve janë shqiptarë.