Arben Labënishti edhe zyrtarisht do të jetë pjesë e Lëvizjes BESA. Kryetari i BESËS, Bilall Kasami tha se kjo lëvizje po bën koalicion me shqiptarët dhe këtë po e dëshmojnë shumë qytetarë dhe intelektual që po i bashkohet BESËS.

Deklarata e kryetarit të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami para mediave: “Ashtu siç ju kemi paralajmëruar qysh më parë, Lëvizjes BESA ka bërë pakt me popullin shqiptar të Maqedonisë dhe kjo po reflektohet edhe me prurjet që vijnë çdo ditë në Lëvizjen BESA.

Se BESA është opsioni më serioz i këtyre zgjedhjeve, që ta mundë murtajën e madhe që u ka ndodhur shqiptarëve të Maqedonisë, kjo po dëshmohet edhe sot. Përveç inkuadrimit para do ditë në Lëvizjen BESA të politologut të Dibrës, z. Xhemal Çupi, sot kemi nderin që t’jua prezantojmë njeriun i cili ndër të gjithë shqiptarët e Maqedonisë mbahet mend si njeriu që, në emër të idealit, hoqi dorë nga postet dhe privilegjet – që është sigurisht rasti i parë dhe i fundit në historinë shqiptare të Maqedonisë, duke dhënë dorëheqje për shkak të mospajtimit me politikat e një partie shqiptare të kapur nga VMRO-ja.

Pra, siç e shihni, sot në Lëvizjen BESA vjen z. Arben Labënishti, i njohur për të gjithë ju. Për shkak se nuk duam të flasim për të, sepse kjo nuk është modeste, mjafton t’ju them se prej sot ai është anëtar i Lëvizjes BESA dhe i Kryesisë Qendrore të Lëvizjes BESA.

Ajo që dua të theksoj me këtë rast është se prej sot BESA është shndërruar në uragan që vjen për ta ndryshuar pozitën politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe, nëse dikush akoma ka dilema se kush i fiton zgjedhjet e ardhshme, këtë mund ta ilustrojë sot nga kjo konferencë për shtyp.

Prandaj prej sot u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë, pra edhe atyre shqiptarëve të ndershëm dhe të ndërgjegjshëm të BDI-së, që të bashkohemi në BESË, sepse mënyra e vetme që të mundet partia e kapur dhe e hipotekuar nga VMRO-ja, tash është Lëvizja BESA.

Nëse deri dje shqiptarët thoshin se nuk kanë alternativë dhe nuk kanë shpresë, sot kjo ka ndryshuar. Alternativa tashmë është këtu dhe shpresa tashmë është këtu.

Prej nesër ne jemi gati që ta bëjmë këtë kthesë. Prej nesër i presim të gjithë që e duan këtë ndryshim. Sot dr. Arbeni u bashkua me ne. Prej nesër e keni radhën edhe ju të tjerët.

Fjala e Arben Labënishtit para mediave: “Të nderuar, pas një viti e gjysëm të dorëheqjes sime nga pozicioni i zv/ministrit të mbrojtjes – situata e shqiptarëve vazhdon të ngelet e tensionuar, shqiptarët vazhdojnë të jenë të nëpërkëmbur, shqiptarët vazhdojnë të jenë të keqtrajtuar, akoma liria është e cunguar për shqiptarët, ndërkohë nga institucionet e shtetit dimensioni drejtësi akoma nuk njihet për shqiptarët, dhe jo më të flitetet për barabarësi mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Kjo situatë politike ishte arsyeja për të cilën unë vendosa të rimirrem me politik, por kësaj radhe duke iu bashkangjitur një vizioni progresiv, një vizioni për “Ridefinimin” – ku shqiptarët do të jenë të barabartë me maqedonasit.

Unë sot jam në mesin e shokëve, miqve të politikanëve të konsoliduar me vizion të qartë, të moralshëm me të cilët bashkërisht do të përpiqemi me seriozitetin më të madh, për të arritur barazinë e shqiptarëve në këtë shtet, nëpërmjet platformës sonë “Ridefinimi”. Dua që të gjithë ata shqiptarë ku do që janë nga Struga deri në Kumanovë, që duan të mirën e familjeve të tyre, duan të mirën e shqiptarëve, duan që shqiptarët të jenë dinjizot në këtë vend, le të urdhërojnë le ti bashkohen platformës së Lëvizjes BESA, që ne së bashku të fitojmë për të mirën e fëmijëve tanë, për të mirën e të ardhmen e familjeve tona.

Shqiptarët kudo që janë tanimë e ka ndier peshën e keqtrajtimit, dhunës, mos krijimit të hapësirsë së duhur për proges, dhe besoj se bashkë me Lëvizjen BESA në zgjedhjet e 11 dhjetorit do të dalim fitues – për t’i bërë shqiptarët dinjitoz, pra për ta “Ridefinuar” këtë shtet.”