Ministri i ri i Shëndetësisë Arben Taravari ka lindur më 7 prill të vitit 1973 në Gostivar.
Ka diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi” në vitin 1998. Studimet postdiplomike, specializim për neurologji, i ka përfunduar në vitin 2006 në Klinikën universitare për neurologji. Ka specializuar mjekësi familjare në vitin 2011 në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”, ndërsa ka doktoruar në temën “Shenjat klinike dhe gjenetika e Parkinsonit” në të njëjtin fakultet.
Nga maji i këtij viti është bashkëpunëtor i lartë shkencor i lëndës së neurologjisë në Klinikën universitare të neurologjisë.
Në vitin 2016 ka qenë kryetar i Bordit, Reparti i sëmundjeve ekstrapiramidale në Klinikën universitare të neurologjisë dhe Repartit për migrena, kokëdhimbje dhe sindrome tjera të dhimbjeve. Në vitin 2010 ka qenë edukator/mentor për specializime për mjekësi familjare në Fakultetin e Mjekësisë pranë Universitetit “Shën Cirili dhe Metodi”.
Në vitin 2009 ka qenë anëtar i këshillit të Revistës mjekësore ndërkombëtare Medikus, ndërsa nga viti 2008 deri në vitin 2012 anëtar i këshillit në Revistën mjekësore Vox Medici. Nga viti 2008 deri në vitin 2012 ka qenë kryetar i këshillit të Klinikës universitare për neurologji, nga viti 2005 deri në vitin 2006 ka qenë trajnues në një projekt për edukim të vazhdueshëm mjekësor, ndërsa në vitin 2005 ka përfunduar kurse njëditore për mjekë të mjekësisë.
Ka përfunduar Shkollën e mesme të mjekësisë “Pançe Karagjozov” në Shkup, ndërsa nga viti 2002 deri në vitin 2003 ka qenë profesor i mikrobiologjisë dhe neuropsikiatrisë.
Ka publikuar disa libra dhe punime shkencore midis të cilave: “Migrenat, kokëdhimbjet dhe sindrome të dhimshme” (2016), “Praktikum për neurologjinë” (2014), “Rezultate klinike dhe gjenetike tek të sëmurët me sëmundje idiopatike të Parkinsonit – disertacion doktorature” (2011), “Studim klinik-epidemiologjik i parkinsoizmit në Shkup: punim masteri” (2006), “Doracak farmako terapeutik” (2006)…
Flet shqip, maqedonisht, turqisht, anglisht dhe serbisht. Është i martuar dhe është baba i dy fëmijëve.