Afati i fundit për ngritjen e akuzave nga Prokuroria speciale publike skadon në muajin mars. Vazhdimi i mandatit do të varet nga fakti nëse partitë do të sigurojnë shumicën dhe do të votojnë kërkesat e Katica Janevës –vetë ti mbrojë dëshmitarët, por edhe të fitojë më shumë kohë për ngritjen e aktakuzave. Ish-gjykatësi Jordan Mitrinovski beson se e ardhmja e Speciales është në duart e politikës. Ligjërisht të gjithë procedurat e filluara patjetër të përfundojnë, dhe në qoftë se Specialja nuk arrin ti kryejë në afatin e paraparë, shpreson se prokuroria e rregullt do ti finalizojë ato, edhe pse, siç thotë Mitrinovski, kjo prokurori është treguar pasive në hetimin e veprimeve të mundshme kriminale në radhët e pushtetit. 

 

  Për shkak të këtij pasiviteti dhe kushteve në të cilat është formuar, u themelua Specialja. Por në qoftë se i ndërpriten kompetencat Speciales, kompetenca duhet të vazhdojë në Prokurorinë e rregullt. Nuk mund të lihen pa përfunduar procedurat – u shpreh Jordan Mitrinovski, ish gjykatës.

Mitrinovski ka një qëndrim të prerë se afati i ngritjes së akuzave, që e ka Janeva, është shumë i shkurtër dhe ai duhet të zgjatet. Pengesat në të cilat ka hasur Specialja ishin të mjaftueshme për ta penguar punën e saj.

  Duhet ti vazhdohet kompetenca. Megjithatë, edhe themelimi i saj u bë me konsensus politik. Për këtë duhet të ketë vullnet politik. Këtë duhet ta zgjidhin politikanët – shtoi Jordan Mitrinovski.

Specialja mbetet në qëndrimin se është e nevojshme të zgjatet afati për ngritje akuzash, si dhe të miratohet ligji për mbrojtje të dëshmitarëve i cili do të lejojë vetë ata ti mbrojnë dëshmitarët në procedura. Megjithatë, lideri i VMRO-DPMNE Nikolla Gruevski në intervistat e fundit ka theksuar se partia e tij nuk do të mbështesë idenë për zgjatjen e afatit për ngritjen e akuzave në Speciale. Nga kjo prokurori sot na thanë se nuk do të komentojnë deklarata politike.

Bojan Stojankovski/Alsat-M