Shkruan: Prof. Arta Toçi

 

Unë shpresoj se një djalë që po i bën hapat e parë në politikë dhe që i dha vetes të drejtën të ofendojë, sot e ka kuptuar sa dëm i ka bërë partisë së vet. Ai mendoi se puna e zëdhënësi është t’i nxjerr në opinion të gjitha që fliten në partinë e vet. Me këtë veprim ai ngriti vrerin tek një parti tjetër por edhe tek ata të cilët janë politikisht të paorientuar. Më vjen keq që ai nuk e kuptoi se opinion është i stërngopur me ofendime, etiketime dhe rrënie të ulta dhe se këto që po ia përshkruan dikujt, të kthehen si bumerang. Dhe, kur ballafaqohesh me nje situatë të tillë, duhet të dalin më të rriturit për të kërkuar që njerëzit t’a harrojnë atë që u tha. 

Vince Lombardi e definon liderin si njeri i cili të inspiron dhe i cili inspiron të tjerë për t’a ndjekur. Lideri të cilin ju e ofenduat, ka arritur të ketë njerëz e njerëz të cilët e ndjekin, dhe me faktin se e ofenduat liderin e tyre, ju i ofenduat të gjithë ata ndjekës të këtij lideri.  Madje shkuat edhe pak më largë, ju i ofenduat edhe ata të cilët janë të paorientuar politikisht sepse tani më janë evidente autoritet që po ngriten mbi bazën e një reflektimi të ri në Maqedoni. Fundja, ashtu sic thotë Joan Graff, lideri lind si i tille, ai nuk mund të bëhet.

Në një kohë kur të gjithë duhet të jemi të vetëdishëm për peshën e momentit, ne duhet të ngritemi mbi ‘zënkat’ e strukturave të ndyshme partiake dhe të reflektojmë pozitivisht për gjetjen e rrugës së drejtë drejt qëllimit. Gjithashtu, ne duhet të kemi parasysh që reagimet tona për ‘fund të zënkave’ të mos jenë një trajtë e re e deklaratave paraprake. Të kuptojmë se janë momente kur vendimet që i marrim janë momente të cilat do e trasojnë rrjedhën e mëtejme të zhvillimve të shqiptarëve në Maqedoni. Ne e dimë se historia shkruhet për ngjarjet e një kohe të caktuar, ndërkaq që ngjarjet krijohen dhe udhëhiqen nga njerëz të gjendur në vendin e caktuar. Në historinë tonë, në atë më të hershme dhe të vonshme, ne kemi njerëz prej të cilëve do turpërohen edhe pasardhësit e tyre. Të jemi të vetëdishëm se këto janë ditë të cilat do të hynë në historinë tonë, prandaj duhet së bashku të kuptojmë, të veprojmë dhe të vërtetojmë se shqiptari i Maqedonisë mund t’a dojë kombin më tepër se partinë.

Autorja është Kryetare e Asamblesë së Femrës në LR-PDSH