Aleanca për Shqiptarët në Strugë, ka reaguar në lidhje me deklaratën e një dite më parë të kreut të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, ku ai deklaroi se nuk i bëhët vonë për kritikat rreth ndërtimeve pa leje dhe se do ti lejojë ata që kanë ndërtuar, të ndërtojnë edhe më shumë rreth bregut të liqenit.

Këtë deklaratë të tij, nga Aleanca për Shqiptarët e cilësuan si skandaloze dhe arrogante. Sipas kësaj partie, kjo dëshmoi se ndërtimet e egra rreth liqenit bëhen dhe janë bërë me dijeninë e Ramiz Merko.

“Sjellja arrogante dhe e papërgjegjshme e Kryetarit të Komunës së Strugës, tregoi edhe njëherë se ndërtimet e egra në Strugë bëhen me dijeninë, aminin dhe për më tepër me stimulimin e tij. Shumica e atyre që ndërtojnë rreth liqenit e jo vetëm, thonë të njejtat fjalë:”Jemi marrë vesh me Ramizin”.

Ky shkatërrues i çdo vlere dhe pasurie të qytetarëve të Strugës, nuk e ka vendin aty.

Fatkeqësisht, institucionet po shndërrohen në vegël të krimit dhe kriminelëve si Ramizi.

Ftojmë edhe njëherë Policinë, Prokurorinë, Gjyqin, Qeverinë, të marrin masa sa nuk është bërë vonë. Pasuria jonë po shkatërrohet dhe uzurpohet. Krimi i organizuar po lulëzon në çdo cep të Strugës”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët./Fol.mk