Në rajonin e Dibrës, popullata ballafaqohet vite me radhë me vërshime, rrëshqitje të gurëve dhe ortekë bore. Për fat të keq, reshjet me një moment përfundojnë, por pasojat mbeten. Ashtu ndodh edhe gjatë këtij sezoni dimëror, kur reshjet e borës ndoshta nuk janë të mëdha, por kemi një dukuri të reshjeve të rrëmbyeshme të shiut.

Në Njësinë e ndërmarrjes për mirëmbajtjen e rrugëve magjistrale dhe rajonale thonë se problemet që vijnë nga reshjet e shiut dhe borës janë në kontinuitet. Vet konfiguracioni i rrugëve rajonale dhe atyre lokale është i tillë që rrëshqitjet e gurëve dhe dheut janë përditshmëri. Udhëheqësi i Njësisë në fjalë që është vendosur në fshatin Kosovrast i Poshtëm, Dear Limanoski, thotë se kjo njësi mirëmban 150 kilometra rrugë rajonale në akset rrugore Dibër-Mavrovë, Dibër-Strugë, Dibër-Qendër Zhupë dhe Dibër-Reka e Vogël. Sipas tij, problemi kryesor paraqitet në akset rrugore që lidhin Dibrën me Mavrovën dhe Strugën, meqë rrëshqitjet e gurëve dhe dheut janë të shpeshta dhe shumë të rrezikshme. Sipas tij, edhe pse ekipet e Njësisë së Dibrës për mirëmbajtje të rrugëve magjistrale dhe rajonale janë vazhdimisht në terren, në disa lokacione në të dyja akset rrëshqitja e gurëve dhe dheut është pothuajse çdo ditë. Në drejtim të Mavrovës – rrëshqitje të gurëve ka në afërsi të Kosvrastit dhe fshatit Jançe, kurse në drejtim të Strugës – në afërsi të Manastirec.

Por, problemet e Dibrës dhe rajonit më të gjerë janë edhe në drejtim të vërshimeve të disa fshatrave. Në fshatin turistik Kosovrast i Poshtëm, përsëri edhe këtë dimër pati vërshime të mëdha nga e cila pësoi njësia e ndërmarrjes për rrugët, meqë ka punktin e saj në këtë fshat, por edhe rruga që nga fshati të çon drejt lokalitetit turistik banjar tek Banjat e Dibrës Capa. Siç na informoi Limanoski, bëhet fjalë për vërshime që vijnë nga përroskat malore në këtë rajon, të cilët përsëriten pothuajse çdo dimër. Bashkëbiseduesi i jonë thotë se për tejkalimin e problemit tani është angazhuar edhe pushteti vendor i Dibrës, meqë duhet të ndërmerren aktivitete për ndërtimin e një ure që të mos ketë vërshime. Kur jemi tek problemet me të cilët ballafaqohet rajoni më perëndimor i vendit, një problem akut është edhe paraqitja e ortekëve të mëdha të borës në rajonin e Rekës së Poshtme. Gjatë reshjeve të dendura të borës në aksin rrugor Dibër-Mavrovë, në dy lokalitete paraqiten ortekë bore, të cilët gjatë dekadave të kaluar kanë shkaktuar edhe viktima. Limanoski thotë se tre dekadat e fundit, edhe pse ortekët paraqiten vazhdimisht, nuk është ndërmarrë asgjë për të tejkaluar problemin në fjalë. “Këtë vit nuk kemi shumë borë në këtë rajon dhe deri tani nuk kemi ortek bore, por viteve të kaluara, të njëjtit kanë bllokuar rrugën për në Mavrovë edhe atë për disa ditë”, tregon Limanoski, dhe shton se ky është një problem shumë i madh kur është në pyetje siguria në komunikacion.

Për këtë është debatuar individualisht, por edhe në takimet e zyrtarëve lokal të komunave Dibër, Qendër Zhupë dhe Mavrovë- Rostush. Përfaqësuesit e pushteteve vendore kanë kërkuar një angazhim më të madh nga institucionet qendrore, meqë rrugët që lidhin Dibrën me qytetet tjera – kanë probleme të sigurisë në komunikacion. Këtë e argumenton edhe fakti se përveç dëmeve materiale në automjete, ka patur edhe viktima nga rënia e gurëve në rrugë, por edhe bllokimi i rrugëve nga ortekët e borës. (koha.mk)