Paditë që i ka dërguar kundër gazetës “Lajm” BDI dhe kryetari i saj Ali Ahmeti, kanë nxjerrë në shesh edhe faktin se ata përfaqësohen nga avokatë joshqiptarë. Që të jetë skandali edhe më i madh, paditë e dërguara nga BDI dhe Ahmeti janë në gjuhën maqedonase, që paraqet edhe një vlerë të shtuar në patriotizmin e Ahmetit dhe tregon respektin e tij për gjuhën shqipe.

Mirëpo avokatët shqiptarë në Shkup, që ka kontaktuar gazeta “Lajm” nuk shprehen shumë të habitur nga ky fakt. “Ehhh…, nuk na habit më Ali Ahmeti. Jemi mësuar me fjalët e tij të mëdha për shqiptarët, mirëpo kur duhet të bëjë një punë konkrete e bën me maqedonas. Skemi çka komentojmë. Punë Ali Ahmeti”, thotë një avokat i njohur shqiptar nga Shkupi.  Ai nuk dëshiron t’ia përmendim emrin, që të mos keqkuptohet se ndoshta xhelozon dikë, ose se është kundër kolegëve maqedonas.  Njësoj mendon edhe një kolegë tjetër i tij.  “BDi dhe Ali Ahmeti kanë të drejtë ligjore të angazhojnë avokat shqiptar, por edhe unë si avokat kam të drejtë ligjore të kërkoj votat e shqiptarëve për një parti maqedonase. Unë nuk mund ta bëj dhe nuk do ta bëj një gjë të tillë, kurse Ahmeti e ka bë. Çka me thënë ma tepër, një punë që shihet qartë nuk don shumë koment”, thotë avokati në fjalë.