Këta nxënës çdo ditë e bëjnë këtë rrugë për të shkuar në shkollë.

Ata detyrohen të ecin në rrugë, në të cilën kalojnë automjetet, për shkak se nuk ka trotuar. Nxënësit shprehen se kjo gjë përbën rrezik për ta.

“Unë eci nga kjo rrugë dhe kemi ngatërresa sepse mund të na shkelë ndonjë veturë, pasi që nuk kemi trotuar, mund të rrëshqasim dhe të kemi dëme dhe të na shkelin veturat”, tha Ervin Xheladini.

E banorët e këtij fshati thonë se ndërtimin e trotuarit po e kërkojnë për fëmijët e tyre sepse ata janë më të rrezikuarit, sepse siç thonë kjo rrugë është shumë e frekuentuar. Sipas banorëve deri tani nuk ka pasur aksidente, por ata druajnë se nëse nuk ndërtohet ky trotuar këta fëmijë mund të pësojnë.

“Ndoshta përpiqet komuna të bëjë diçka por ne nuk shohim asgjë në realitet, edhe këtu është problemi më i madh. Personalisht dal për mbesën dhe nipin tim sepse ju rrezikohet jeta. Çka kemi faj, ne jemi taksapagues të këtij shteti edhe ne asgjë tjetër nuk kërkojmë vetëm të rregullojmë këtë trotuarin se rrezikohemi, nëse mua në këtë moshë më rrezikohet jeta çka mund të presim për fëmijët”, u shpreh Sefedin Rexhepi, banor.

Edhe pas disa kërkesave në komunë të dorëzuara nga këshilltarët, për të ndërtuar këtë trotuar 1 kilometërsh nga komuna nuk kanë marrë asnjë përgjigje pozitive.

“Në çdo miratim buxheti apo rebalanc buxheti unë si këshilltar gjithmonë kam kërkuar nga i pari i komunës që të intervenohet në këtë pjesë dhe në këtë problem, mirëpo asnjëherë nuk ka pasur gatishmëri që të intervenohet dhe të bëhet ky trotuar”, tha Bujar Misimi, Këshilltar I Komunës Së Bogovinës.

Kryetari i komunës së Bogovinës edhe pas disa tentimeve nuk pranoi të prononcohet për TV21.