barcaBarcelona ka “shkelur” Athletic Bilbaon në xhiron e 20-të të La Ligës me rezultat 6 me 0, duke arritur fitore edhe më të thellë se ajo e Realit ndaj Sporting Gijonit (5 me 1) orë më parë.

Pas treshes BBC të Realit edhe rivalët MSN – Messi, Suarez, Neymar – arritën të shënojnë pesë herë.

Lionel Messi hapi serinë e golave në minutën e shtatë nga pika e bardhë, pas largimit me të kuq të Gorka Iraizozit.

Në minutën e 31-të, Neymar dyfishoi rezultatin pas asistimit të Luis Suarezit.

Për uruguaianin pjesa e dytë ishte më e mirë. Ai arriti tregolësh për fitoren e thellë të Barçës. Golat Suarez i shënoi në minutat 47, 69 dhe 82, ndërsa golin tjetër të ndeshjes e shënoi Ivan Rakitiq, që realizoi në minutën e 62-të.

Tani Barcelona kalon sërish në pozitën e dytë me 45 pikë të tubuara, dy më pak se Atletico që vazhdon të prijë. Reali është i treti me dy pikë prapa Barçës, por kjo distancë mund të thellohet pasi që skuadra e Luis Enriques ka një takim më pak të zhvilluar.