I njohur me qëndrimet e tij të guximshme dhe jashtë shablloneve të përditshmërisë gazetareske dhe analitiko-politike , Ambasadori dhe analisti politik Arsim Zekolli, në kolumnën e tij të fundit në Dojçe Vele del edhe me një propozim tjetër në këtë stil, duke propozuar shkarkim paralel edhe të Zvërlevskit, Katica Janevës dhe ekipeve të tyre.

“Shkarkim i Prokurorit Publik Zvërlevski dhe ekipit të tij të prokurorëve, por edhe përbërjes aktuale të PSP-së të udhëhequr nga Katica Janeva, Fatime Fetai, Leneçe Ristovska, për shkak të qasjes selektive ndaj drejtësisë dhe luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Dualiteti i tanishëm thellë i komprometuar mes Prokurorisë Publike dhe PSP-së, sa më shpejtë duhet të ndryshohet me organ institucional juridik gjithëpërfshirës dhe të pavarur, i përbërë nga Prokuroria, Zyrë Hetuese dhe Gjykatë Speciale”, thekson Zekolli.

Zekolli numëron edhe disa çështje, që sipas tij duhet t’i ketë parasysh eksperti gjerman Rajnhard Pribe, gjatë vizitës së paralajmëruar në Maqedoni.

Në mesin e këtyre çështjeve, Zekolli përmend edhe ndikimin ende të madh të shërbimeve sekrete, e posaçërisht fenomenin e afërsisë së Gruevskit me Mijallkovin, Zaevit me Verushevskin, si dhe afërsinë e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti edhe me Sasho Mijallkovin edhe me Zoran Verushevskin.

“Problemi i dominimit të shërbimeve të pareformuara sekrete mbijeton pa kurrfarë ndryshimi, sikurse edhe për shkak të dy pikave paraprake, poashtu edhe për lidhjes së elaboruar gjerësisht mes ish kryeministrit me z. Mijallkovin, poashtu edhe për shkak të lidhjes vijuese – jo aq të sqaruar mes kryeministrit aktual me z. Verushevski, duke përfshi edhe lidhjen e z. Ahmeti me të dy kryeministrat dhe dy shefat e kundërzbulimit”, shkruan mes tjerash Zekolli, transmeton Gazeta Lajm.