Derisa ministrat e arsimit vijnë e shkojnë problemi me shkollën e Sellcës vazhdon të mbetet i njëjtë. Nxënësit e këtij fshati vazhdojnë të vijojnë mësimin kushte tejet të vështira. Nga Ministria e Arsimit në kontinuitet vijnë deklaratat e njëjta se ekspertët kanë dalë në teren për të shqyrtuar stabilitetin e vendit. Kjo përgjigje erdhi edhe nga ministri aktual i arsimit Pishtar Lutfiu, i cili për ngecjet justifikohet se në këtë post është vetëm se dy muaj.

“Sipas informatave që posedojmë ne, ekspertët kanë dalë në terren të verifikojnë lokacionin dhe truallin dhe sigurisht që do presim analizat e ekspertëve dhe jemi të hapur t`i ndihmojmë këtij procesi…Domethënë duke pasur në konsideratë se unë jam vetëm dy muaj dhe besoj se do gjejmë edhe mirëkuptim”, u shpreh Pishtar Lutfiu. Ministër i Arsimit dhe shkencës.

Ndërsa kryetarja e komunës së Tetovës Teuta Arifi, thekson se është dashur të bëhet edhe një matje shtesë për stabilitetin e vendit, me qëllim që ndërtimi të jetë i sigurt, por pa precizuar kohën se kur mund të përfundoj ky proces që do ti hapte rrugë ndërtimit të shkollës.

“Është dashur që të bëhet edhe një matje shtesë sepse matjet e para kanë dëshmuar për një jostabilitet të vendit dhe kjo është arsyeja se përse është shkuar me matjet e dyta, edhe pse ne kemi bërë të gjitha planet urbanistike për të pasur atje shkollën ashtu siç ministria ka deklaruar se ka ndarë buxhet për një gjë të tillë”, tha Teuta Arifi, kryetare e komunës së Tetovës.

Për banorët e Sellcës të gjitha justifikimet e autoriteteve komunale dhe qendrore nuk mbajnë, pasi ndërtimi i shkollës fillore të fshatit Sellcë zgjat tanimë 15 vite. B.S/ Alsat-M