Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) nëpërmjet një kumtese uroi qytetarët për anëtarësimin e plotë të vendit në NATO pas përfundimit të të gjitha procedurave të procesit të anëtarësimit.

“Arritjet e mëdha brenda kësaj jave kurorëzuan dy dekadat e veprimtarisë tonë kombëtare dhe politike, tashmë jemi anëtar fuqiplotë dhe i barabartë i NATO-s dhe kemi nisur negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Të nderuar qytetarë, Bashkimit Demokratik për Integrim është garantues i marrëveshjes së Ohrit, marrëveshjes së Prespës dhe të fqinjësisë së mirë. Nuk do të lejojmë kthim prapa”, shprehen nga BDI, njofton Telegrafi Maqedoni.

Ata shtojnë se proceset e barazisë dhe të integrimit u vonuan, por më në fund u realizuan për tu bërë të përhershme.

“Të gjitha të arriturat janë meritë e qytetarëve të vendit tonë. BDI i shpreh mirënjohje Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 28 vendeve aleate për përkrahjen e anëtarësimit tonë në NATO dhe vlerëson që ky është sukses i përbashkët i të gjithë neve”, thuhet në kumtesën e BDI./Telegrafi/

E ardhmja e sigurt është përcaktim i qytetarëve dhe obligim i joni.