Partia e Ali Ahmeti me anë të një komunikate ku nuk shpreh as ngushëllime dhe as keqardhje për vrasjen dhe plagosjen e anëtarëve të BDI-së në Reçicë të vogël, mohoi se incidenti ka të bëjë me këtë parti.
BASHKIMI DEMOKRATIK PËR INTEGRIM
“BDI edhe sot sikurse çdo ditë tjetër ka vazhduar me aktivitetet e saja të zakonshme. Përgëgnjeshtrojmë çdo informacion lidhur me atë se sot në BDI ka pasur përleshje apo incident. Ne si subject politik nuk kemi dhe nuk mund te kemi përgjegjësi për incidentet individuale që nuk kanë të bëjnë me bdi dhe për BDI”, thuhej në komunikatën e BDI-së.
Përveç kësaj, BDI nuk dha asnjë sqarim as në dilemat e ngritura në opinion se çfarë kërkonin aktivistë të kësaj partie nga Kumanova në Tetovë e aq më tepër në një rrugë në afërsi të selisë së kësaj partie. Selinë e BDI-së nga vendi i ngjarjes i ndan vetëm një udhëkryq. Nga krahu i djathtë është rruga prej nga kanë ardhur dy automjete të përfshira në incident, rruga në krah të djathtë shpie drejt selisa së BDI-së, ndërsa rruga tjetër përballë shpie tek vendi ku ka ndodhur incidenti i mbrëmshëm.
Informatat shtesë që lidhin incidentin me partinë të cilës i takonin personat e përfshirë në të është edhe mbledhja që kishte përfunduar vetëm pak kohë para incidentit. Për shkak të tensioneve të ngritura për herë të dytë në zgjedhjen e kryetarit të degës së Kumanovës, mbledhja për zgjedhjen e kryesisë së degës është mbajtur dje në selinë qëndrore të BDI-së në Kumanovë. Sipas informatave nga kjo parti, Fatmir Idrizi, këshilltar i BDI në Komunën e Kumanovës është zgjedhur dje kryetar dege i BDI-së në Kumanovë, ndërsa Feriz Dervishi sekretar. Pas kësaj zgjedhje kanë filluar tensionet mes mbështetësve të Idrizit dhe grupit që ka kundërshtuar atë dhe më pas perleshja në rrugë dhe incidenti i armatosur.
Sipas informatave jozyrtare, në selinë e BDI-së kanë qenë të pranishëm vetëm disa nga personat e përfshirë në incident, ndërsa të tjerët kanë ardhur për të mbështetur miqtë e tyre pasi kanë dëgjuar për tensionet dhe përplasjet që kanë ndodhur në seli.
Gjatë daljes nga selia partiake dhe në tentim për t’u nisur drejt Kumanovës palët rivale janë takuar për të përfunduar gjithë incidentin edhe me gjakderdhje. Naip Rexhepi është viktima e dytë që humb jetën në përplasjes brenda degës së BDI-së në Kumanovë.
Për motive të ngjashme në korrik të vitit 2015 është vrarë edhe komandant Shqiponja, i cili fillimisht ishte zgjedhur kryetar i degës së BDI-së në Kumanovë nga anëtarë lokal të kësaj partie.
Por, më pas, kryesia qëndrore dhe vetë kreu i partisë, Ali Ahmeti, kanë mbështetur Bajram Limanin. Në një incident ku përsëri janë takuar dy palët rivale ishin përdorur armët dhe i vdekur ka mbetur Xhemail Rexhepi, komandant Shqiponja. Për vrasjen e tij u akuzua Bajram Limani, kryetari i degës së BDI-së i deleguar dhe mbështetur nga Ahmeti dhe krerët partiak. /SHENJA/