Kanali i hapur në qendër të Haraçinës në të cilin derdhen ujërat e zeza, vazhdon të jetë problem shumë i madh për banorët e këtij fshati. Ata që jetojnë në afërsi të kanalit thonë se më vështirë e kanë kur temperaturat janë të larta, për shkak të erës së keqe që kundërmon. Ndërsa shprehen skeptikë se ndonjëherë ky problem me të cilin përballen tani e disa vite do të tejkalohet.

“Na pengon shumë bile. Kur do të bëhet nuk e di, s’ka mjete nuk jep qeveria mjete, s’mund të bëhet njëherë për njëherë. Me pjesën tjetër jemi të kënaqur, mirë shumë është bërë, por tjetra shumë na pengon, keq është shumë, era i vjen, insektet na mbytën” .

“Pengon, shumë pengon. Duhet të rregullohet kjo pjesë”.

Kryetari i Komunës së Haraçinës Brahim Ajvaz shprehet se është në bisedime e sipër me Ministrinë e Ekologjisë për zgjidhjen e këtij problemi por pa saktësuar kohën.

“ Për pjesën tjetër që ende nuk është kryer d.m.th se nuk ka projekt për atë pjesë ende, dhe po bisedojmë me Ministrinë e Ekologjisë dhe me donatorë të tjerë për këtë gjë. Deri tani nuk kemi pasur plan detal urbanistik që të na japin leje për kanalizim por tash e posedojmë atë, dhe planin e kemi përgatit dhe një projekt e kemi dorëzua në Ministrinë e Ekologjisë . Këtë vit e kishim ndërmend të investojmë një pjesë të kanalizimit por për shkak të mungesës së planit detal urbanistik nuk mundeshim të kemi leje, dhe u ngrinë aktivitetet”, deklaroi Brahim Ajvazi.

Premtime për zgjidhjen e këtij problemi ndër vite ka pasur nga ministrat e ekologjisë, edhe në kohën kur me këtë dikaster kanë udhëhequr kuadro shqiptarë. Por der i më sot, ky problem nuk ka gjetur zgjidhje. Ndryshe edhe sot në Komunën e Haracinës qëndruan për vizitë funksionarë të BDI-së me rastin e 15 vjetorit të Betejës së Haraçinës dhe 20 vjetorin e themelimit të kësaj Komune. /Alsat-m